Shkruan Bardhyl Mahmuti
Më 28 shtatorit 2026, 99 deputetë të Kuvendit të Kosovës miratuan deklaratën e përbashkët përmes së cilës shprehën qëndrimin e qartë se asnjë aktgjykim nuk mund ta zhbëjë të vërtetën historike të luftës në Kosovë. Në këtë mënyrë ata shprehën vullnetin e qytetarëve të Kosovës për të vlerësuar aktgjykimin e 16 shtatorit si aktgjykim të padrejtë dhe hodhën poshtë si të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët për realizimin e pavarësisë së Kosovës.
Në të njëjtën kohë, 99 deputetët që miratuan këtë deklaratë, kërkuan nga të gjitha institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare të popullit të Kosovës dhe hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, në kuadër të së cilës të bashkërendohen veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës së plotë historike mbi luftën e drejtë për liri dhe çlirim të Kosovës.
Është shumë e rëndësishme se përtej vështirësive që e karakterizuan miratimin e projektligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe presidentes së Kosovës, sot jemi në një kontekst tepër të favorshëm që të bashkuar të përballojmë sfidat e ardhshme me të cilat do të ballafaqohen institucionet shtetërore të Kosovës.
Në këtë kontekst është shumë e rëndësishme që t’u jemi mirënjohës të gjithë atyre që kontribuuan për arritjen e këtij konsensusi të domosdoshëm kombëtar dhe të ndalim hipotezat e arsyeve përse ky apo ai politika veproi kështu apo ashtu. Logjika e përçarjes është në funksion të strategjisë antishqiptare që dëshiron mbetjen e pengjeve politike në burgun e Hagës dhe shkatërrimin e ardhmërisë së shtetit të pavarur të Kosovës.
Prandaj këtyre njerëzve duhet t’u themi preras: MJAFTË ME PËRÇARJE!
VETËM TË BASHKUAR PËRBALLË RREZIQEVE MUND TË DALIM FITIMTARË!













