Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka uruar Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen Presidente të Republikës së Kosovës, duke thënë se me përmbylljen e procesit të konsolidimit institucional, vendi i ka dhënë fund bllokadave politike dhe zgjedhjeve të vazhdueshme.
Gjini, përmes një postimi në Facebook, ka deklaruar se kjo është një ditë e mirë për stabilitetin e vendit dhe qytetarët e Kosovës.
“Urime dhe suksese Presidentes së re të Republikës, Justina Shiroka-Pula!”, ka shkruar ai.
Kreu i Aleancës ka thënë se kjo parti del nga ky proces “me kokën lart”, duke theksuar se nuk ka hyrë në pazare politike apo kalkulime të minutës së fundit.
Sipas Gjinit, Aleanca ishte e para që pas zgjedhjeve doli me një ofertë të qartë dhe pa kushte, me synimin që Kosova të mos zvarritej dhe të mos shkonte sërish në zgjedhje.
“Oferta jonë pa asnjë kusht ishte ekskluzivisht parimore, për shtetin dhe për qytetarët. Nuk bëmë asnjë pazar dhe secilin premtim dhe qëndrim e mbajtëm deri në fund”, ka deklaruar Gjini.
Ai ka thënë se tash përgjegjësia për qeverisjen u takon atyre që kanë marrë pushtetin.
“Koha e bllokadave mbaroi dhe përgjegjësia absolute u mbetet atyre që morën pushtetin. Prandaj, nga sot, puna jonë zhvendoset në terren”, ka shkruar Gjini.
Ai ka paralajmëruar se Aleanca do të jetë aktive në të gjitha komunat e Kosovës dhe do të veprojë si opozitë e pakompromis.
“Aleanca do të jetë çdo ditë në terren, duke takuar e dëgjuar qytetarët në çdo komunë të Kosovës. Ne do të jemi opozitë e pakompromis. Do të flasim hapur dhe me emër për secilën shkelje, në secilin institucion dhe në çdo nivel të këtij pushteti”, ka deklaruar ai.













