Cristiano Ronaldo e konsideron veten futbollistin më të mirë të të gjitha kohërave. Ylli portugez, 41 vjeç, ka folur për karrierën e tij, rivalitetin me Lionel Messin dhe vlerësimin që, siç tha ai meriton për golat që vazhdon të shënojë në këtë moshë.
Intervista u transmetua nga CNN Portugal, ku Ronaldo bisedoi me gazetarin dhe mikun e tij, Edu Aguirre. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, biseda ishte zhvilluar rreth një vit më parë.
“Jam më i miri i të gjitha kohërave, pikë. Shifrat flasin vetë. Nuk njoh askënd më të mirë se unë. Historia është shkruar tashmë. Mund ta përfundoja karrierën time sot dhe nuk do të pendohesha për asgjë”, deklaroi sulmuesi portugez.
Gjatë intervistës, Ronaldo foli edhe për krahasimet e vazhdueshme me Lionel Messin, rivaliteti me të cilin ka shënuar një epokë të futbollit botëror.
Sipas portugezit, të dy kanë shërbyer si burim motivimi për njëri-tjetrin, duke e krahasuar rivalitetin e tyre me atë mes pilotëve legjendarë të Formula 1, Alain Prost dhe Ayrton Senna.
“Njëri i jepte gjithmonë motivim tjetrit, ashtu si Alain Prost dhe Ayrton Senna në Formula 1”, u shpreh Ronaldo.
Ylli portugez theksoi gjithashtu se nuk ndihet mjaftueshëm i vlerësuar për numrin e golave që vazhdon të shënojë, pavarësisht moshës së tij.













