Trajneri dhe analisti i ngjarjeve sportive Liridon Leci është denoncuar për sulm fizik ndaj ish-futbollistes Edonisa Aliu, të dielën në mbrëmje.
Incidenti ka ndodhur të dielën pas përfundimit të emisionit televiziv “Dueli Sportiv” në RTV Dukagjini, ku dy personat e përfshirë në rast ishin pjesë e panelit, mëson Paparaci.
Rastin në Policinë e Kosovës e ka denoncuar ish-futbollistja Aliu. Ajo, në polici ka pretenduar se është sulmuar fizikisht nga Leci, panelist i rregullt në emisionin “Dueli Sportiv”.
Leci dhe Aliu debatuan ashpër me njëri-tjetrin gjatë emisionin sportiv të dielën, pothuajse gjatë tërë debatit. Ata, gjatë emisionit live, shkëmbyen akuza dhe u përplasën me njëri-tjetrin edhe për çështje personale.
Pak para se emisioni të mbyllej, Leci, i cili është trajner i Vëllaznimit të Gjakovës, paralajmëroi përfundimin e paraqitjeve të tij në emisionin që drejtohet nga gazetari Ndrecë Gjonaj.
“Dëgjom Ndrecë. Kjo është hera e fundit që dal në emision në Dueli Sportiv vetëm për shkak të këtyre tipave që ti i sjell në emision”, tha Leci, derisa u ankua për pjesëmarrësit në panelin e së dielës – me aludim të fortë për Edonisa Aliun.
“Ti i bën gjërat me tendencë, unë e di”, shtoi Leci.
Moderatori Gjonaj tha se është ai që vendos për përbërjen e emisionit.













