Kushtet jo të mira të punëtorëve në Kosovë, përfshirë edhe punë jashtë orarit, vazhdojnë të mbesin në qendër të ankesave të vazhdueshme.
Në redaksinë e Veriu.info ka arritur një denoncim nga një punëtor i rrjetetit të marketeve INTEREX në Mitrovicë, i cili thotë se kompania po i detyron në punë jashtë orarit, pa kompensim dhe anulim të pushimeve.
Punëtori që ka ngritur shqetësimin, thotë se sipas kontratave të punës çdo orë shtesë duhet të paguhet, por sipas tij, kjo gjë nuk po zbatohet në praktikë. Si dëshmi për këtë situatë, ai ka bashkëngjitur edhe një fotografi (screenshot) nga komunikimi brenda grupit të punës.

Në mesazhin e komunikimit shihet njoftimi për stafin se për shkak të regjistrimit vjetor (që nis më datë 19.10), pushimet do të jenë të anuluara nga dita e hënë dhe se orari i punës do të jetë 9 orë. Po ashtu, për disa sektorë specifikë njoftohet se orari do të fillojë nga ora 5:00 e mëngjesit dhe se ky orar do të vlejë për tërë javën.
Punëtori kërkon publikimin e kësaj dukurie për të vënë në pah ato që ai i cilëson si shkelje të të drejtave të punëtorëve.
(Sqarim: Ky shkrim bazohet në pretendimet dhe dëshmitë e dërguara nga denoncuesi në redaksi. Redaksia tregon gatishmëri të publikojë edhe qëndrimin apo sqarimin e kompanisë Interex lidhur me këtë rast.)














