Mbrojtja e Granit Plavës ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin ai është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e rëndë të Liridona Ademajt dhe për mbajtje të paautorizuar të armës.
Në ankesën e siguruar nga IndeksOnline, mbrojtja kërkon lirimin e Plavës nga akuza për vrasje të rëndë, duke pretenduar se nuk është provuar përtej dyshimit të arsyeshëm se ai ishte personi i maskuar që kishte shtënë mbi Liridona Ademajn. Në alternativë, kërkon anulimin e aktgjykimit dhe kthimin e çështjes në rigjykim, ose zëvendësimin e burgimit të përjetshëm me një dënim me afat.
Një
Një nga argumentet e mbrojtjes është mungesa e identifikimit të drejtpërdrejtë të Plavës si personi që kishte kryer të shtënat. Sipas ankesës, nuk ka dëshmitar okular që e identifikon atë si ekzekutues, ndërsa pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë lëvizjet e automjeteve, por jo momentin e vrasjes apo identitetin e personit të maskuar.
Mbrojtja konteston gjithashtu mënyrën se si janë vlerësuar provat balistike. Sipas saj, fakti që arma e lidhur me predhën është gjetur në shtëpinë e Plavës nuk dëshmon vetvetiu se ai e ka përdorur atë në momentin e vrasjes.
Një tjetër pikë e ankesës lidhet me shumën e pretenduar prej 30 mijë eurosh, për të cilën, sipas mbrojtjes, nuk ka prova të pavarura financiare që dokumentojnë pagesën apo marrëveshjen e pretenduar. Avokati kundërshton edhe besueshmërinë e deklaratave të mëhershme të të akuzuarve, duke pretenduar se ato përmbajnë mospërputhje që nuk janë analizuar mjaftueshëm nga gjykata.
Mbrojtja kundërshton edhe refuzimin e kërkesës për rikonstruksion të vendit të ngjarjes, duke argumentuar se një veprim i tillë do të ndihmonte në sqarimin e pozicionit të personave, distancës së të shtënës dhe dinamikës së vrasjes.
Përveç pretendimeve lidhur me fajësinë, ankesa e vë në pikëpyetje edhe proporcionalitetin e burgimit të përjetshëm. Mbrojtja argumenton se gjykata nuk ka arsyetuar mjaftueshëm pse një dënim deri në 35 vjet burgim nuk do të ishte i mjaftueshëm, duke kërkuar vlerësim më të hollësishëm të rolit të pretenduar të Plavës dhe rrethanave të tij personale.
Në ankesë përmenden edhe pretendimet për presion gjatë deklarimit policor, si dhe kërkesa për vlerësim të mëtejshëm të disa provave dhe ekspertizave. Mbrojtja kërkon që këto çështje të shqyrtohen në mënyrë të plotë nga Gjykata e Apelit.
Në përfundim, mbrojtja kërkon që Plava të lirohet nga akuza për vrasje të rëndë. Në alternativë, kërkon rigjykim ose ndryshimin e vendimit për dënimin me burgim të përjetshëm dhe caktimin e një dënimi me afat./IndeksOnline/














