Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar me një deklaratë publike, duke ngritur shqetësime për kërcënimet që, sipas tij, janë intensifikuar kohëve të fundit nga deputetë dhe asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Përmes një statusi, Rama u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të merren seriozisht me këto raste, duke vënë në pikëpyetje pavarësinë e institucioneve dhe duke kërkuar përgjigje nëse drejtësia po vepron në mënyrë të pavarur apo nën ndikimin e interesave politike.
Ai ka theksuar se askush nuk ka të drejtë të kërcënojë në emër të shtetit dhe se institucionet nuk duhet të përdoren si instrument presioni ndaj kundërshtarëve politikë, gazetarëve apo qytetarëve që kanë qëndrime të ndryshme.
Rama ka deklaruar se mandati i tij buron nga vota e qytetarëve të Prishtinës dhe se nuk do të tërhiqet përballë presioneve politike.
“Mos e ngatërroni qetësinë me dobësi. As përmbajtjen me frikë. Ta keni të qartë, nuk më HESHTINI dhe nuk më NDALNI!”, ka shkruar Rama në reagimin e tij.
Në fund, kryetari i Prishtinës ka theksuar se qeverisja e kryeqytetit duhet të bazohet në votën dhe besimin e qytetarëve, e jo në kërcënime.












