Veprimtaria e shumë prej institucioneve private shëndetësore në Kosovë është kthyer në sfidë për shtetin, pasi që ato po operojnë vazhdimisht në mënyrë të kundërligjshme me shërbime të palicencuara dhe staf ilegal (të palicencuar), gjë që paraqet edhe rrezik për shëndetin dhe jetën e pacientëve.
Veriu.info ka siguruar procesverbalin dhe raportin e inspektimit nga Inspektorët Shëndetësor në Institucionin Privat Shëndetësor “Agaj Medical” Sh.P.K. në Prishtinë, ku pas inspektimit i është ndaluar përkohësisht veprimtaria kësaj poliklinike.

Në raportin e inspektimit është konstatuar se “Agaj Medical” nuk i plotëson kushtet sipas Udhëzimit Administrativ sa i përket hapësirave, pasi që posedon vetëm dy nyje sanitare dhe nuk ka dhomë të veçantë për intervenime të vogla kirurgjikale.
Në raport theksohet fakti se “Agaj Medical” ishte licencuar me vetëdeklarim, por që pas inspektimit ishte konstatuar se nuk i plotësonte kushtet për funksionim.



Veriu.info ka marrë edhe qëndrimin e “Agaj Medical” për këtë inspektim dhe ndalesën e përkohëshme të veprimtarisë.
“Agaj Medical fillimisht ka ushtruar veprimtarinë si ambulancë e mjekësisë familjare, ndërsa më pas ka ndryshuar statusin në poliklinikë. Ky ndryshim ka sjellë edhe kërkesa shtesë infrastrukturore dhe organizative, të cilat janë trajtuar me seriozitet nga ana jonë. Gjatë inspektimit janë evidentuar disa çështje që kërkonin përmirësim. Ne kemi ndërmarrë veprimet e nevojshme për përshtatjen e hapësirave dhe përmbushjen e kërkesave të përcaktuara nga autoritetet kompetente. Të gjitha punimet dhe përmirësimet e nevojshme janë përfunduar brenda 3–4 ditësh”, thuhet në përgjigjen e “Agaj Medical” për Veriu.info.
Tutje, nga kjo poliklinikë kanë thënë se pas përfundimit të përmirësimeve, Inspektorati Shëndetësor ka kryer riinspektimin dhe u ka dhënë lejen për rifillimin e veprimtarisë.
“Agaj Medical SH.P.K. ka vepruar me përgjegjësi dhe në bashkëpunim me autoritetet kompetente, duke ndërmarrë masat e kërkuara dhe duke respektuar procedurat përkatëse. Konsiderojmë të rëndësishme që çdo raportim të jetë i plotë dhe i balancuar, duke përfshirë edhe faktin se pas riinspektimit është dhënë leja për vazhdimin e veprimtarisë”, thuhet në përfundim të përgjigjes.
Ndryshe, nga të dhënat në ARBK, “Agaj Medical” është në pronësi të Atdhe Agaj, Njazi Agaj dhe Sahit Agaj me nga 33% të aksioneve.

LEXONI EDHE:














