Ernest Luma njoftoi se e ka paditur Radio Televizionin e Kosovës (RTK), pas vendimit për ndërprerjen e marrëdhënies së tij të punës, të cilin e konsideron të padrejtë. Ai pretendon se largimi erdhi pas disa postimeve sarkastike në profilin e tij personal në Facebook.
Luma tha se padinë ndaj mediumit publik e ka adresuar në gjykatë dhe në instancat e tjera kompetente, pas vendimit të 28 gushtit për largimin e tij nga puna.
“RTK më largoi nga puna si në kohën e Millosheviqit!”, shkroi ai në një postim në Facebook.
Luma pretendon se procedura disiplinore ndaj tij ishte iniciuar nga ushtruesi i detyrës së kryeredaktorit të RTK-Radios dhe më pas ishte miratuar nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të këtij mediumi.
“Vendimi kishte ardhur ngase dikush diku nuk e ka duruar sarkazmën ndaj zhvillimeve ne vend, në shkrimet e mia, dhe pas disa postimeve në rrjetin social Facebook ishte inicuar një procedurë disiplinore nga u.d. kryeredaktori i RTK-Radios dhe ishte aprovuar më pas nga u.d. drejtori i RTK-Radios”, shkroi Luma.
Ai tha se vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës i ishte dërguar me email brenda pak ditësh, pa arsyetime të detajuara për shkeljet që pretendohej se kishte kryer.
“Brenda pak ditësh dhe pa arsyetime të detajuara, vetëm duke aluduar shpejt e shpejt, se me postimet e mia kinse e paskam shkelur njëfarë neni në një rregullore të RTK-së, ma kanë përcjellur në e-mail vendimin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës me RTK-në”, deklaroi ai.
Luma tha se gjatë angazhimit të tij në RTK-Radio është përpjekur t’i kryejë përgjegjësitë me profesionalizëm dhe paanësi. Sipas tij, postimet në Facebook ishin personale dhe nuk kishin lidhje me punën e tij në mediumin publik.
“Ndërkaq, postimet në faqen time në Facebook, konsideroj që janë personale dhe nuk kanë pasur të bëjnë me punën dhe angazhimin tim në RTK, në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast. Gjithashtu, në ato postime unë askund nuk e kam përmendur RTK-në, as nuk jam nënshkruar si pjesë e RTK-së”, shkroi ai.
Luma pretendon gjithashtu se postimet e tij nuk kanë përmbajtur ofendime ndaj personave të caktuar dhe se ndaj tij është vepruar në mënyrë selektive.
“Në postimet e mia, kryesisht me përmbajtje sarkastike, në asnjë moment nuk u jam adresuar personave apo personaliteteve të caktuara, nuk kam ofenduar askënd dhe nuk e kam linçuar askënd, ndërkohë që këtë e kanë bërë dhe e bëjnë përditë shumë të punësuar të tjerë në RTK (por, si gardianë të pushtetit aktual dhe si atakues të përditshëm të opozitës), ndaj të cilëve nuk është marrë asnjëherë ndonjë masë”.
Ai vlerëson se shprehja e opinioneve personale për zhvillimet shoqërore është një e drejtë themelore në një shoqëri demokratike.
“Mendoj se mendimi kreativ dhe shprehja e opinioneve personale në çështje të caktuara, në blogje e profile personale, që kanë të bëjnë me zhvillimet e gjithëmbarshme në shoqëri, janë e drejtë e patjetërsueshme e secilit në një vend të lirë e demokratik, që garanton lirinë e fjalës dhe të shprehjes së mendimit”, shkroi Luma.
Sipas tij, në RTK edhe më parë janë publikuar opinione personale për zhvillimet shoqërore, pa u ndërmarrë masa të ngjashme. Për këtë arsye, ai e ka cilësuar vendimin për largimin e tij si diskriminues.
“Andaj, inicimi i procedurës disiplinore dhe më pas vendimi ekstrem për largim nga puna, në rastin tim, kanë qenë inicim dhe vendim i marrur në mënyrë selektive dhe krejtësisht diskriminues”, pretendon ai.
Luma mohon se me postimet e tij e ka dëmtuar reputacionin e RTK-së, duke thënë se vendimi për largimin e tij nuk përmbante arsyetime shtesë se si ishin shkelur rregulloret e mediumit publik.
“Komisioni Disiplinor i RTK-së, duke u thirrur në nene e rregullore që kinse i paskam shkelur me postimet e mia në rrjetet sociale, nuk ka dhënë as kurrfarë arsyetimesh shtesë se si i paskam shkelur ato dhe ku qenka dëmtuar RTK-ja, por kanë vendosur direkt masën e largimit nga puna”, shkroi ai.
Në reagimin e tij, Luma e krahason largimin nga puna me periudhën e regjimit të Slobodan Millosheviqit në Kosovë, duke përmendur edhe përvojën e prindërve të tij.
“Largimi im nga puna në RTK, fatkeqësisht më ka kujtuar vitet e largëta e të hidhura, 1989/90 të kohës së regjimit okupator të Millosheviqit. Atëbotë, qindra mijëra shqiptarë janë larguar nga puna vetëm pse nuk kanë menduar si Millosheviqi dhe regjimi i tij. Si sot unë, në atë kohë, në mesin e të goditurve nga regjimi i Millosheviqit kanë qenë edhe të dy prindërit e mi, tash veteranë të arsimit”, shrkoi Luma.
Ai tha se, sipas tij, në historinë 27-vjeçare të RTK-së nuk ka pasur rast tjetër të largimit nga puna për shkak të mendimeve që nuk përputhen me ato të pushtetit.
“Në historinë 27-vjeçare të RTK-së, largimi nga puna vetëm pse nuk mendon si regjimi, po ndodhë për herë të parë. Kanë ardhur e kanë shkuar qeveri të ndryshme në Kosovë, por nuk ka ndonjë rast tjetër të tillë në mediumin tonë publik, të cilin, me këto veprime, po përpiqen ta rregullojnë si medium ekskluziv të pushtetit”, pretendon ai.
Në fund të reagimit, Luma thekson se RTK-ja duhet t’i shërbejë publikut dhe jo pushtetit.
“RTK është medium i publikut dhe jo i pushtetit!”, shkroi ai.
Ai shprehu bindjen se për rastin e tij duhet të vendosin instancat kompetente dhe gjykatat, ndërsa ka njoftuar se postimet në Facebook, të cilat shërbyen si bazë për inicimin e procedurës disiplinore dhe vendimin për largimin e tij, i ka bashkëngjitur në postim.















