Gjatë hulumtimit për institucionet shëndetësore private që operojnë në mënyrë të kundërligjshme, me shërbime të palicencuara dhe staf ilegal (të palicencuar), kemi hasur edhe në një poliklinikë në Pejë që është gjobitur nga Inspektorati Shëndetësor.
Inspektorati Shëndetësor ka gjetur shkelje ligjore në poliklinikën “Biohit” Sh.P.K. në Pejë, duke urdhëruar ndalimin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore nga laboratori mjekësor biokimik-hematologjik dhe Laboratori Mjekësor i Mikrobiologjisë Klinike.
Veriu.info ka siguruar procesverbalin dhe raportin e inspektimit që është hartuar më 8 janar 2026, ku është konstatuar se poliklinika “Biohit” Sh.P.K. në Pejë nuk i plotëson kushtet për ushtrimin e veprimtarisë sipas Udhëzimit Administrativ. Procesverbali me të gjeturat e inspektorëve shëndetësor është nënshkruar edhe nga Bujar Rexhaj, drejtor menaxhues i “Biohit” Sh.P.K.

“Gjatë inspektimit u kontrolluan të gjitha hapësirat e institucionit. U konstatua se në këtë IPSH, hapësira e Laboratorit Mjekësor Biokimik-Hematologjik, si dhe hapësira e Laboratorit Mjekësor të Mikrobiologjisë Klinike, nuk i plotësonin kushtet për ushtrimin e veprimtarisë sipas Udhëzimit Administrativ 02/2025 (fakte të bashkëngjitura në raport)”, thuhet në raportin e inspektimit të siguruar nga Veriu.info.
Pas inspektimit, poliklinikës “Biohit” përveç ndalimit të ofrimit të shërbimeve shëndetësore nga Laboratori Mjekësor Biokimik-Hematologjik dhe shërbimit shëndetësor nga Laboratori Mjekësor i Mikrobiologjisë Klinike, i është shqiptuar edhe një gjobë nga Inspektorati Shëndetësor.
Veriu.info ka tentuar të marrë një qëndrim nga “Biohit” Sh.P.K. për këtë inspektim të Inspektoratit Shëndetësor, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk kemi pranuar përgjigje për pyetjet e dërguara.
Ndryshe, “Biohit” Sh.P.K. është kompanie në pronësi të Astrit Rexhaj, Bujar Rexhaj dhe Kujtim Rexhaj, ku secili ka nga 33% të aksioneve. Aktivitet kryesor të biznesit ka ‘Aktivitetet e mjekësisë së praktikës së përgjithshme’, përderisa si kompani vepron me 10 (dhjetë) njësi në: Pejë, Deçan, Gjakovë, Mitrovicë, Prishtinë dhe Istog.




Veriu.info ka siguruar edhe pamje të hapësirave të brendshme të poliklinikës, të bëra gjatë momentit të inspektimit, të cilat janë pjesë e raportit të inspektimit.

LEXONI EDHE:















