Këto pamje nuk supozohet të i shihte askush.
Sepse janë hapësira të ndjeshme shtetërore të sigurisë.
Por Matt Nadin, që thotë se është nga Anglia dhe publikon video të tilla nga vende të ndryshme të botës, është futur në Kampin e Njësive Speciale të Policisë në Vrellë të Fushë Kosovës.
I papenguar, pa leje, xhiron gjithçka dhe i publikon.
Nadin kalon lehtësisht pranë hapësirave ku Njësitë Speciale zhvillojnë ushtrimet dhe, arrin të afrohet edhe te mjete të rrezikshme, përfshirë koktej molotovi.
Pastaj vazhdon rrugën.
Pa u ndalur.
Pa u pyetur.
Pa u kontrolluar.
Më pas arrin deri te pjesa e pasme e kampit, ku gjen rrugën drejt tunelit.
Këtu situata bëhet edhe më serioze.
Sepse ai përsëri nuk përballet me ndonjë pengesë të dukshme.
Nuk shihet ndonjë roje që ta ndalojë.
Nuk shihet ndonjë kontroll i hyrjes.
Nuk shihet ndonjë mbikëqyrje që ta pengojë të vazhdojë më tej.
Thjesht hyn.
Ecën.
Filmon.
Si ka mundësi të ndodhë një gjë e tillë në një hapësirë të ndjeshme të infrastrukturës së sigurisë?
A ju kujtohet kur Ministri i punëve të Brendshme ishte pyetur për Kampin e Njësive Speciale në Mitrovicë, dhe kishte thënë që e ka të pamundur të jap informata.
“Unë nuk e kam ndërmend të deklarohem për çështje të cilat janë çështje konfidenciale, brenda për brenda Policisë së Kosovës”, kishte deklaruar Ministri i Punëve të Brendshme.
Ku mbeti konfidencialiteti?
Si ka mundësi që edhe pas publikimit të videos nga Kampi në Vrellë nuk është marrë as edhe një hap i vetëm për këtë skandal?
Pse nuk ka përgjegjësi politike?
Depërtimi kaq i lehtë në kamp, duke filmuar i papenguar nuk përfundon me kaq.
Matt Nadin kap mjete të konfiskuara nga Policia e Kosovës, uniforma të tyre dhe më së keqi tregon hyrjen për tek kampi më i rëndësishëm i sigurisë në vend.
Në fund ai kapet, por i xhiron edhe zyrtarët policorë brenda veturës.
Nuk i konfiskohet kamera dhe as pamjet e paautorizuara.
Më pas tregon se si i gënjeu lirshëm Policinë.
Për aksione të ndryshme policore, Xhelal Sveçla vrapon për të marrë merita. Tash kur kaq lehtësisht cenohen hapësirat e rëndësishme të sigurisë shtetërore, a është gati të japë përgjegjësi?

















