Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Marrëveshjet e ekstradimit nuk i ndalin të arratisurit, Radoiçiqi dhe të kërkuarit nga drejtësia jetojnë të lirë në Serbi

17/10/2026 - 18:39
në Lajme
A A
Marrëveshjet e ekstradimit nuk i ndalin të arratisurit, Radoiçiqi dhe të kërkuarit nga drejtësia jetojnë të lirë në Serbi
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Marrëveshjet e ekstradimit u nënshkruan për të parandaluar keqpërdorimin e shtetësisë së dyfishtë dhe praktikën e arratisjes në vendet fqinje, me qëllim shmangien nga drejtësia, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Por, në praktikë, shpesh nuk funksionojnë.

Edhe pse shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë marrëveshje dypalëshe për ekstradimin, ish-presidenti i dikurshëm i Serbisë dhe Malit të Zi është një nga shumë personat që, duke shfrytëzuar kufijtë e depërtueshëm dhe shtetësinë e dyfishtë, kanë arritur t’i shmangen vuajtjes së dënimit ose gjykimit në vendet e tyre.

Ish-presidenti i Unionit Shtetëror të Serbisë dhe Malit të Zi, Svetozar Maroviq, është njeri i lirë që nga 10 tetori, pasi dënimi që i ishte shqiptuar në Mal të Zi për korrupsion, është parashkruar.

Ai u arratis në Serbi pas shpalljes së vendimit gjyqësor në vitin 2016.

Deri në parashkrimin e dënimit, Beogradi refuzoi ta ekstradonte, ndonëse me Podgoricën ka marrëveshje për ekstradimin e ndërsjellë të shtetasve të akuzuar për krim të organizuar, korrupsion dhe vepra të tjera të rënda penale.

Profesoresha e pensionuar e së Drejtës nga Beogradi, Vesna Rakiq Vodineliq, thotë për Radion Evropa e Lirë se lidhjet politike kanë ndikim të madh në vendimet për refuzimin e kërkesave të shteteve fqinje për ekstradim.

Sipas saj, Maroviq është dashur të ekstradohej.

Përveç personave që i janë shmangur drejtësisë së vendeve fqinje, në Ballkanin Perëndimor kanë gjetur strehim edhe të akuzuar dhe të dënuar nga vende të ndryshme të botës – nga Rumania deri në Tajlandë.

Kriminelë të dënuar të luftës dhe “azilantë politikë” në Serbi

Marrëveshjet dypalëshe, të cilat vendet e Ballkanit Perëndimor nisën t’i nënshkruanin kryesisht nga viti 2010, mundësojnë ekstradimin e shtetasve të tyre, sipas kushteve të caktuara që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Megjithatë, ato nuk zbatohen për veprat penale të kryera para nënshkrimit të marrëveshjeve, ndërsa në rastin e Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës, as për krimet e luftës.

Pavarësisht fletarrestimit ndërkombëtar, Novak Gjukiq, ish-gjeneral i Ushtrisë së Republikës Sërpska, i cili u arratis në Serbi në vitin 2014, pak para shpalljes së vendimit gjyqësor në Bosnje dhe Hercegovinë, vazhdon të jetojë i lirë në Beograd.

Ai u dënua në Sarajevë me 20 vjet burgim për krime lufte, përkatësisht për vrasjen e 71 civilëve në zonën e njohur si Kapija, në Tuzllë.

Beogradi refuzon ta ekstradojë, pasi Gjukiq ka edhe shtetësi serbe, ndërsa Serbia nuk i ekstradon shtetasit e saj.

Shtetësi të dyfishtë kanë edhe ish-pjesëtarët e Ushtrisë dhe Policisë së Republikës Sërpska, Tomisllav Kovaç, Mirko Vruçiniq dhe Dushko Kornjaça.

Ata janë vetëm disa nga personat që kërkohen nga drejtësia e Bosnje dhe Hercegovinës për krime lufte, por jetojnë të lirë në Serbi.

Tre vjet pasi mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, edhe Millan Radoiçiq vazhdon të jetë i lirë në Serbi.

Megjithëse Kosova ka lëshuar pesë fletarrestime ndaj tij gjatë viteve të fundit, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe e kanë sanksionuar për lidhje me krimin ndërkombëtar, më 9 tetor, ai ka marrë pjesë në një tubim zgjedhor të partisë në pushtet të Aleksandar Vuçiqit.

Përveç Radoiçiqit, në Serbi jetojnë të lirë edhe persona të tjerë ndaj të cilëve drejtësia e Kosovës ka ngritur aktakuza për vepra të ndryshme penale, përfshirë krime lufte.

Disa prej tyre janë aktivë në jetën publike – shkruajnë dhe promovojnë libra, merren me politikë dhe paraqiten në media.

Edhe pse Prishtina ka lëshuar fletarrestime ndaj tyre, Serbia refuzon t’i ekstradojë, prandaj shumica gjykohen në mungesë në Kosovë.

Beogradi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe nuk ka marrëveshje ekstradimi me të.

Për bashkëpunimin mes dy vendeve është përgjegjës Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

Gjatë dekadës së fundit, shtetësi, azil apo forma të tjera mbrojtjeje në Serbi kanë marrë edhe shtetas të Rumanisë, Bullgarisë, Tajlandës dhe vendeve të tjera, të kërkuar nga autoritetet gjyqësore të shteteve të tyre.

Njëri prej tyre është biznesmeni bullgar, Cvetan Vasilev, i akuzuar në vendin e tij për përfshirje në 144 raste të përvetësimit të parave.

Ai u arratis në Serbi në vitin 2014, ndërsa shtatë vjet më vonë fitoi azil politik.

Azil politik mori edhe biznesmeni dhe ish-deputeti rumun, Sebastian Gica, i cili u arratis në Serbi në vitin 2016, pasi ndaj tij nisën disa hetime – ndër të tjera për dyshime për korrupsion.

Autoritetet serbe e arsyetuan dhënien e azilit me mundësinë që ai të përndiqej për shkak të bindjeve të tij politike.

Në vitin 2019, Qeveria e Serbisë i dha shtetësinë edhe ish-kryeministres së Tajlandës, Jingluk Shinavatra, e dënuar në vendin e saj me pesë vjet burgim për korrupsion.

“Bëhet fjalë për njerëz të pasur, prandaj më duket se korrupsioni ka luajtur rol në vendimet për ekstradimin e shtetasve të këtyre vendeve”, thotë Rakiq Vodineliq.

Shtetasi kinez, Cui Guanghai – ekstradimin e të cilit e kërkojnë Shtetet e Bashkuara nën akuzat për spiunazh dhe kontrabandë të teknologjisë ushtarake – u zhduk nga arresti shtëpiak në Beograd në vitin 2025, pasi ishte arrestuar në bazë të një fletarrestimi ndërkombëtar të lëshuar me kërkesë të SHBA-së.

Drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), Kash Patel, deklaroi atëkohë para Kongresit amerikan se Serbia po i kthente shtetasit e akuzuar kinezë në Kinë, në vend që t’i ekstradonte në Shtetet e Bashkuara.

Në vitin 2022, në Serbi u arrestua edhe ish-zyrtari i inteligjencës ukrainase, Andrij Naumov.

Beogradi refuzoi kërkesën e Ukrainës për ekstradimin e tij, lidhur me një hetim për shpërdorim të pozitës zyrtare.

Naumov u gjykua në Serbi dhe, në vitin 2025, u dënua me një vit burgim për një vepër tjetër penale – pastrim parash.

Vëllezërit Mamiq, të arratisurit më të njohur në Bosnje dhe Hercegovinë

I arratisuri më i njohur nga drejtësia që jeton në Bosnje dhe Hercegovinë, është Zdravko Mamiq, ish-nënkryetar ekzekutiv i klubit kroat të futbollit, Dinamo Zagreb.

Në vitin 2018, Mamiq u shpall fajtor për përvetësim të parave të klubit dhe u dënua me gjashtë vjet e gjysmë burgim.

Para shpalljes së vendimit gjyqësor, ai u arratis në Bosnje dhe Hercegovinë – shtetësinë e së cilës e kishte kërkuar dhe fituar më herët në bazë të prejardhjes së tij.

Autoritetet e Bosnje dhe Hercegovinës refuzuan kërkesën e Kroacisë për ekstradimin e tij.

Në të njëjtën mënyrë, vuajtjes së dënimit iu shmang edhe vëllai i tij, Zoran Mamiq, ish-futbollist dhe trajner, i cili u dënua në Kroaci me katër vjet e tetë muaj burgim për përvetësim të parave nga Dinamo.

Ai tani punon në Klubin e Futbollit Sarajevo, si këshilltar i pronarit të klubit.

Në vitin 2010, nga Kroacia në Bosnje dhe Hercegovinë u arratis edhe Mirosllav Kutle, i cili ishte dënuar për tri vepra penale të shpërdorimit të kompetencave në veprimtarinë ekonomike.

Edhe ai ka shtetësi të Bosnje dhe Hercegovinës në bazë të prejardhjes dhe sot jeton i lirë në këtë vend, ku ka ndërtuar një perandori biznesesh.

Në fund të shtatorit u parashkrua edhe rasti i fundit për të cilin kërkohej nga drejtësia kroate.

Ish-drejtori i kompanisë “Salonit”, pranë Splitit, Jozo Qurkoviq, u arratis në Bosnje dhe Hercegovinë në vitin 2004, para ngritjes së aktakuzës për krim ekonomik dhe shpërdorime.

Për shkak të shtetësisë së dyfishtë, ai nuk është ekstraduar deri më sot në Kroaci.

Në vitin 2022, një gjykatë në Split e dënoi në mungesë me tre vjet burgim.

Edhe persona të tjerë të kërkuar nga drejtësia kroate kanë gjetur strehim në Bosnje dhe Hercegovinë.

Branimir Gllavash, i dënuar në vitin 2009 për krime ndaj civilëve serbë gjatë luftës në Osijek, shfrytëzoi shtetësinë e dyfishtë dhe u largua drejt Hercegovinës perëndimore para shpalljes së vendimit gjyqësor.

Ai kaloi më shumë se pesë vjet në burgjet e Bosnje dhe Hercegovinës, pasi ky vend mori përsipër ekzekutimin e dënimit.

Megjithatë, në vitin 2015 u lirua, pasi Gjykata Kushtetuese e Kroacisë e anuloi vendimin dënues dhe urdhëroi rigjykimin e tij.

Në vitin 2025, në qytetin e Prozorit, në jug të Bosnje dhe Hercegovinës, u arrestua shtetasi slloven, Mlladen Samarxhija, në bazë të një fletarrestimi të Interpol-it.

Autoritetet sllovene e kërkonin, ndër të tjera, nën dyshimet për drejtimin e një rrjeti të kontrabandës së drogës.

Por, Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës e refuzoi kërkesën për ekstradimin e tij, pasi mes dy vendeve nuk ekziston marrëveshje dypalëshe për ekstradim.

Sllovenia ua kaloi zyrtarisht rastin autoriteteve të Bosnje dhe Hercegovinës, ku ai aktualisht është në fazën e hetimeve.

Kush “fshihet” në Mal të Zi dhe në Kosovë?

Radomir Llaban i është shmangur vuajtjes së dënimit me burg në Serbi që nga viti 2011, ndërsa prej vitit 2018 është gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Llaban është dënuar si pjesëtar i së ashtuquajturës “mafi doganore” – një grup i dyshuar për vepra penale të ryshfetit.

Emri i tij gjendet në listën e personave të kërkuar nga Interpol-i që nga viti 2014.

Integriteti i Llabanit është vënë në pikëpyetje në Kosovë.

Ish-presidentja Vjosa Osmani e cilësoi atë si kërcënim për sigurinë kombëtare në vitin 2025, ndërsa ministrja e atëhershme e Drejtësisë ngriti dyshime se ai ishte bashkëpunëtor i shërbimit të inteligjencës serbe.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka thënë më herët Radios Evropa e Lirë se një gjyqtar mund të shkarkohet gjatë mandatit “vetëm për kryerjen e një vepre të rëndë penale ose për neglizhencë të rëndë të detyrës”, me propozimin e dy të tretave të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Rasti më i njohur në Mal të Zi është ai i ish-kryeministrit të Tajlandës, Taksin Shinavatra, i cili, para arrestimit në vendin e tij në vitin 2023, kishte kaluar 15 vjet në mërgim, për shkak të dënimeve për disa vepra penale.

Gjatë asaj periudhe, në vitin 2009, ai fitoi shtetësinë malazeze si qytetar nderi, ndonëse ishte në kërkim nga Interpol-i.

Ish-presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, deklaroi atëkohë se Shinavatra nuk mund të ekstradohej në Tajlandë, pasi Kushtetuta e Malit të Zi ndalonte ekstradimin e shtetasve të vet në vende të tjera.

Pas kthimit në Tajlandë, Shinavatra vuajti dënimin dhe u lirua me kusht në maj të vitit 2026, ndërsa në qershor u fal.

Në tetor të vitit 2026, ai paraqiti kërkesë për amnisti, me synimin që të ndërpriteshin të gjitha procedurat ligjore dhe të shfuqizoheshin të gjitha akuzat kundër tij.

JU REKOMANDOJMË

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, u përball edhe me deputetët e Partisë Mundësia, Agron Shehaj dhe Erald Kapri

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, u përball edhe me deputetët e Partisë Mundësia, Agron Shehaj dhe Erald Kapri
17/10/2026 - 19:43

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita zbarkoi në bulevard gjatë protestës së sotme dhe gjatë qëndrimit të tij u përball edhe me deputetët e Partisë...

Më shumëDetails

A është Gjykata Speciale gjykatë e Kosovës apo degë e EULEX-it?

A është Gjykata Speciale gjykatë e Kosovës apo degë e EULEX-it?
17/10/2026 - 19:37

Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Muhamet Brajshori, në një opinion të publikuar në Kosovo 2.0, ka ngritur pikëpyetje mbi statusin real institucional të Gjykatës Speciale, lidhjen e saj...

Më shumëDetails

Protestuesit i vënë flakën Gjykatës së Lartë në Tiranë

Protestuesit i vënë flakën Gjykatës së Lartë në Tiranë
17/10/2026 - 19:28

Protesta e sotme ka dalë krejtësisht jashtë kontrollit dhe protestuesit e kanë rritur agresivitetin e tyre. Së fundmi gazetarja Elda Menga raporton se i është vënë flaka një...

Më shumëDetails

Bajrami i kërkon Prokurorisë Speciale t’i hetojë tenderët njëburimorë: Janë bërë praktikë qeverisëse, bashkë me ta edhe korrupsioni

Bajrami i kërkon Prokurorisë Speciale t’i hetojë tenderët njëburimorë: Janë bërë praktikë qeverisëse, bashkë me ta edhe korrupsioni
17/10/2026 - 19:25

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ‘’tenderët njëburimorë janë kthyer në praktikë qeverisese, e bashkë me ta edhe...

Më shumëDetails

Protesta del jashtë kontrollit, forcat RENEA zbarkojnë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”

Protesta del jashtë kontrollit, forcat RENEA zbarkojnë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”
17/10/2026 - 19:15

Dita e pestë e protestës së dhunshme vijon me përplasje të ashpra mes protestuesve dhe efektivëve të policisë. Aktualisht në bulevardin e “Dëshmorët e Kombit” kanë mbërritur edhe...

Më shumëDetails

Qytetarë e policë të lënduar, Ministria e Shëndetësisë njofton bilancin nga protesta në Tiranë

Qytetarë e policë të lënduar, Ministria e Shëndetësisë njofton bilancin nga protesta në Tiranë
17/10/2026 - 19:03

Ministria e Shëndetësisë thotë se deri në orën 17:00 në Spitalin Universitar të Traumës (SUT) po marrin kujdes mjekësor protestues, efektivë policie dhe një kalimtar, ndërsa një efektiv...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Foto: Faton Peci, Kushtrim Mehaj dhe Ylber Shamolli

    Konfirmohet raportimi i Veriu.info: Komuna e Faton Pecit shpall fituese kompaninë për të cilën u paralajmërua se po i kurdisej tenderi 3-milionësh

    143 Shpërndaje
    Shpërndaje 57 Tweet 36
  • Skandal – Cenohet siguria kombëtare: Një shtetas i huaj arrin të futet në tunelet e Kampit të Njësive Speciale të Policisë në Vrellë, filmon gjithçka dhe i publikon pamjet. Si do ta arsyetojë këtë Xhelal Sveçla?

    98 Shpërndaje
    Shpërndaje 39 Tweet 25
  • Skandal në Spitalin Amerikan 2 të Klodian Allajbeut: Nënës iu dorëzua foshnja e gabuar, zbulohet se infermierja ishte e palicencuar

    152 Shpërndaje
    Shpërndaje 61 Tweet 38
  • Inspektorati gjobit kompaninë “RIGA PHARM” për mashtrim me çmime në Prishtinë dhe Podujevë

    89 Shpërndaje
    Shpërndaje 36 Tweet 22
  • I kërkuan marrëdhënie intime në grup një gruaje, këta janë tre policët e suspenduar nga IPK-ja

    95 Shpërndaje
    Shpërndaje 38 Tweet 24

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë