Ministria e Shëndetësisë thotë se deri në orën 17:00 në Spitalin Universitar të Traumës (SUT) po marrin kujdes mjekësor protestues, efektivë policie dhe një kalimtar, ndërsa një efektiv tjetër po ekzaminohet në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT).
Konkretisht te Trauma janë paraqitur 9 protestues, njëri prej të cilëve është shtruar në spital, ndërsa 3 të tjerë kanë marrë mjekimin e nevojshëm dhe janë larguar, shkruan abcnews.
Po në këtë spital janë paraqitur edhe 4 efektivë policie, nga të cilët 2 kanë marrë mjekim dhe janë larguar. Gjithashtu, në SUT është paraqitur edhe një kalimtar.
Ndërkohë, në QSUT po ekzaminohet një efektiv policie. Sipas informacionit të raportuar, gjendja shëndetësore e të lënduarve paraqitet stabël. Protesta vazhdon të jetë e dhunshme, ndërsa ka hyrë në ditën e pestë të saj.

















