Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ‘’tenderët njëburimorë janë kthyer në praktikë qeverisese, e bashkë me ta edhe korrupsioni’’.
Bajrami, i ka bërë thirrje prokurorisë Speciale ‘’që t’i hetojë të gjitha këto kontrata, arsyet e përdorimit të procedurave të negociuara, çmimet dhe përfituesit e tyre’’.
Postimi:
Tenderët njëburimorë janë kthyer në praktikë qeverisese, e bashkë me ta edhe korrupsioni!
Kam folur vazhdimisht për tenderët njëburimorë dhe kam kërkuar nga Prokuroria Speciale që t’i hetojë.
Rreth 3 mijë kontrata njëburimore nuk janë përjashtim – kjo është bërë praktikë.
Derisa pacientët me kancer mbeten me muaj pa barna esenciale, për shkak të dështimeve në prokurim, institucionet gjejnë arsye për të negociuar kontrata për blerje peleti.
Rasti i fundit, ku Komuna e Podujevës me tender të negociuar ka kontraktuar peletin për 120 euro më shtrenjtë për ton sesa Komuna e Rahovecit me tender të hapur, është vetëm një ilustrim i pasojave nga mungesa e konkurrencës.
Prapë i bëj thirrje Prokurorisë Speciale që t’i hetojë të gjitha këto kontrata, arsyet e përdorimit të procedurave të negociuara, çmimet dhe përfituesit e tyre.
Buxheti i shtetit është i qytetarëve, jo i pushtetarëve.
Për çdo euro duhet të jepet llogari!

















