Valbona Disha Haxhosaj është caktuar ushtruese e detyrës së kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, pas suspendimit të Lumturije Vuçetajt, mëson Gazeta Sinjali.
Ky vendim vjen pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), ku u vendos suspendimi i kryeprokurores Lumturije Vuçetaj dhe koordinatores për dhunë në familje, Arlinda Nallbani Gacaferri.
Ndaj të dyjave janë iniciuar edhe procedura disiplinore për të vlerësuar përgjegjësinë e mundshme lidhur me veprimet apo mosveprimet gjatë trajtimit të rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Vendimet janë ndërmarrë pas rekomandimeve të Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnullah Gashi, bazuar në raportin e hartuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit për veprimet e ndërmarra nga prokuroria.
Me caktimin e Valbona Disha Haxhosajt në pozitën e ushtrueses së detyrës, Prokuroria Themelore në Pejë do të udhëhiqet përkohësisht nga ajo, pas suspendimit të Vuçetajt.
Suspendimi dhe inicimi i procedurave disiplinore nuk nënkuptojnë konstatim përfundimtar të përgjegjësisë së zyrtareve të përfshira.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

















