Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pritur të enjten në takim Komandantin Suprem të Forcave Aleate të NATO-s në Evropë (SACEUR), gjeneralin Alexus G. Grynkewich.
Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit është diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon, rolin e NATO-s në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, si dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe aleancës.
Presidentja Shiroka-Pula ka shprehur mirënjohjen e Kosovës për kontributin e NATO-s dhe të misionit të KFOR-it në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në vend.
Ajo ka theksuar se prania e KFOR-it vazhdon të jetë e rëndësishme për sigurinë e të gjithë qytetarëve dhe për ruajtjen e stabilitetit në Kosovë.
Gjatë takimit, presidentja ka ritheksuar përkushtimin e Kosovës për forcimin e partneritetit me NATO-n dhe avancimin e bashkëpunimit me aleatët.
Ajo ka nënvizuar se anëtarësimi në NATO mbetet një nga objektivat strategjikë të Republikës së Kosovës.
Shiroka-Pula ka theksuar gjithashtu se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes, stabilitetit rajonal dhe bashkëpunimit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.
















