Driton Muharremi, mbrojtësi i Valon Llukës, ka bërë të ditur se klienti i tij është liruar nga masa e paraburgimit.
Muharremi ka njoftuar se masa e paraburgimit i është zëvendësuar me masën e dorëzanisë.
“ Jemi të bindur se gjatë procedurës së mëtejshme gjyqësore, së bashku me z. Lluka, do të dëshmojmë se ai nuk ka asnjë lidhje me veprat penale që i atribuohen”, është shprehur Muharremi.
Postimi:
Valon Lluka lirohet nga paraburgimi me masën e dorëzanisë!
Në cilësinë e avokatit mbrojtës të z. Valon Lluka, dhe për hir të informimit të drejtë të publikut, ju njoftoj se sot, me vendim të gjyqtares së procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Prishtinë, z. Valon Lluka është liruar nga paraburgimi, duke iu zëvendësuar kjo masë me dorëzani.
Ky vendim vjen pas një procesi të rëndësishëm juridik, ku fillimisht Gjykata e Apelit kishte vlerësuar si të pabazuara pretendimet për rrezikun e ikjes dhe përsëritjes së veprës penale, ndërsa më pas Gjykata Supreme kishte aprovuar si të bazuar kërkesën e mbrojtjes, lidhur me rrezikun e pretenduar për ndikim në dëshmitarë dhe asgjësim të provave, duke e kthyer çështjen në rivendosje.
Pas vendimit të Gjykatës Supreme, Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi lirimin e z. Lluka nga paraburgimi me masën e dorëzanisë.
Jemi të bindur se gjatë procedurës së mëtejshme gjyqësore, së bashku me z. Lluka, do të dëshmojmë se ai nuk ka asnjë lidhje me veprat penale që i atribuohen.
Besojmë në drejtësi, në prezumimin e pafajësisë dhe në triumfin përfundimtar të së vërtetës!


















