Dogana e Kosovës, ka njoftuar se ka ndaluar 121 telefona pa dokumentacion gjatë një operacioni antikontrabandë në Gjakovë.
Në njoftim shtohet se, përveç kontrolleve në lokalin afarist, kontrollet janë zgjeruar edhe në një banesë, të cilën pronari i biznesit e shfrytëzonte si depo për ruajtjen e mallrave, ku edhe në këtë lokacion është zbuluar një sasi e konsiderueshme telefonash celularë.
‘’ Në mesin e pajisjeve të ndaluara përfshihen telefona të rinj dhe të përdorur të markës Apple, si dhe telefona të markës Samsung. Në të dy lokacionet janë ndaluar gjithsej 121 telefona celularë, të cilët janë evidentuar individualisht përmes numrave identifikues IMEI dhe janë vendosur nën mbikëqyrje doganore për trajtim të mëtejmë në përputhje me legjislacionin në fuqi’’, thuhet mes tjerash në njoftim.
Njoftimi i plotë:
DOGANA E KOSOVËS NDALON 121 TELEFONA CELULARË PA DOKUMENTACION PËRKATËS GJATË NJË OPERACIONI ANTIKONTRABANDË NË GJAKOVË
Gjakovë, 29 tetor 2026
Dogana e Kosovës, përmes njësive të Sektorit të Antikontrabandës, ka realizuar një operacion kontrolli në Gjakovë, gjatë të cilit janë ndaluar 121 telefona celularë të markave iPhone dhe Samsung, për të cilët nuk është paraqitur dokumentacion që dëshmon prejardhjen e tyre dhe përmbushjen e detyrimeve doganore.
Gjatë operacionit, zyrtarët doganorë kanë ushtruar kontroll në një subjekt afarist që merret me tregtimin e telefonave celularë dhe pajisjeve elektronike, ku është identifikuar një sasi e konsiderueshme telefonash celularë të modeleve të ndryshme.
Përveç kontrollit në lokalin afarist, kontrollet janë zgjeruar edhe në një banesë, të cilën pronari i biznesit e shfrytëzonte si depo për ruajtjen e mallrave. Edhe në këtë lokacion është zbuluar një sasi e konsiderueshme telefonash celularë.
Gjatë kontrollit dhe verifikimit fillestar, është konstatuar se pronari i biznesit nuk posedonte dokumentacion që dëshmonte origjinën dhe prejardhjen e ligjshme të këtyre pajisjeve, si dhe nuk kishte dëshmi për kryerjen e procedurave të zhdoganimit dhe pagesën e detyrimeve përkatëse doganore.
Në mesin e pajisjeve të ndaluara përfshihen telefona të rinj dhe të përdorur të markës Apple, si dhe telefona të markës Samsung.
Në të dy lokacionet janë ndaluar gjithsej 121 telefona celularë, të cilët janë evidentuar individualisht përmes numrave identifikues IMEI dhe janë vendosur nën mbikëqyrje doganore për trajtim të mëtejmë në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Dogana e Kosovës ka iniciuar procedurat përkatëse për verifikimin e prejardhjes së mallrave, përcaktimin e detyrimeve eventuale doganore dhe trajtimin e shkeljeve të dyshuara të legjislacionit doganor.
Ky operacion është pjesë e angazhimeve të vazhdueshme të Doganës së Kosovës për luftimin e kontrabandës dhe tregtisë së paligjshme, identifikimin e mallrave pa dokumentacion përkatës, mbrojtjen e konkurrencës së ndershme dhe parandalimin e shmangies së detyrimeve doganore.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe ekonomisë joformale, mbrojtjen e interesave financiare të Republikës së Kosovës dhe garantimin e zbatimit të ligjit në të gjithë territorin e vendit.
















