Vrasja e 49-vjeçares Arlinda Zekaj në Vitomiricë të Pejës, pas kërkesave të saj të vazhdueshme për mbrojtje nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë, ka rikthyer në vëmendje çështjen e përgjegjësisë institucionale dhe politike në Kosovë.
Pavarësisht reagimeve të shumta publike, protestave dhe kërkesave për dorëheqje, deri më tani asnjë zyrtar i lartë politik nuk ka marrë përgjegjësi përmes dorëheqjes pas këtij rasti.
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, vazhdojnë të mbajnë pozitat e tyre, ndonëse protestuesit dhe përfaqësues të opozitës kanë kërkuar largimin e tyre nga detyra.
Në konferencën për media të mbajtur të premten, të dy ministrat janë pyetur për mundësinë e dorëheqjes, por kanë bërë të ditur se nuk e konsiderojnë këtë si zgjidhje në këtë moment.
Gërvalla ka thënë se do të jepte dorëheqje nëse do të vlerësonte se një veprim i tillë do të ndihmonte në identifikimin më të saktë dhe më të shpejtë të përgjegjësive për veprimet dhe mosveprimet institucionale. Megjithatë, ajo ka deklaruar se nuk mendon se ky është momenti për dorëheqje.
“Na lejoni të bëjmë punën tonë, na lejoni që të kujdesemi që të vihen në pah, të identifikohen dhe të adresohen përgjegjësitë dhe atëherë e diskutojmë përsëri çështjen e dorëheqjeve”, ka thënë Gërvalla.
Ajo ka theksuar se Ministria e Drejtësisë nuk ka kompetencë të ndërhyjë në punën e gjykatave dhe prokurorive apo të kërkojë llogari të drejtpërdrejtë nga gjyqtarët dhe prokurorët për vendimmarrjen e tyre.
Në anën tjetër, Sveçla ka thënë se nuk beson se dorëheqja e tij apo e Gërvallës do të kontribuonte në fuqizimin e grave dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre.
“Unë nuk mendoj se dorëheqja jonë do të kontribuonte në fuqizimin e gruas në mbrojtjen e të drejtave të saj, meqenëse ne jemi të angazhuar 100 për qind në përmbushjen e detyrave tona në këtë pikë”, ka deklaruar Sveçla.
Ai ka thënë se personalisht është në anën e protestuesve dhe e kupton indinjatën e tyre, por ka shtuar se kjo nuk nënkupton se pajtohet me të gjitha kërkesat e tyre.
Sa i përket përgjegjësisë së institucioneve që varen nga Ministria e Punëve të Brendshme, Sveçla ka konfirmuar se Inspektorati Policor i Kosovës ka evidentuar shkelje dhe dështime në Policinë e Kosovës. Ai ka thënë se do të identifikohen përgjegjësitë konkrete të secilit zyrtar policor dhe se, varësisht nga përgjegjësia, mund të ketë ndjekje penale ose masa administrative.
Ndërkohë, pas vrasjes së Zekajt, masa janë ndërmarrë ndaj zyrtarëve të Policisë dhe Prokurorisë në Pejë. Policia e Kosovës ka suspenduar 11 zyrtarë policorë, ndërsa Këshilli Prokurorial i Kosovës ka suspenduar kryeprokuroren e Pejës, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren Arlinda Nallbani Gacaferi.
Megjithatë, këto masa janë pezullime nga detyra dhe procedura disiplinore, e jo dorëheqje apo vendime përfundimtare që përcaktojnë përgjegjësinë e zyrtarëve.
Gjatë konferencës, Gërvalla ka bërë të ditur se raporti i prezantuar për rastin është vetëm pjesërisht i plotë, pasi disa institucione nuk kanë kthyer përgjigje ose nuk kanë ofruar dokumentacionin e kërkuar. Ajo ka thënë se nga dokumentacioni i shqyrtuar krijohet bindja se vrasja e Arlinda Zekajt me shumë gjasë mund të ishte parandaluar.
Ministrja ka ngritur edhe mundësinë e ndikimeve të jashtme, përfshirë ato nga qarqe politike apo kriminale, në mosveprimet institucionale, por ka pranuar se raporti nuk përmban prova për ndikime të tilla.
Rasti i Arlinda Zekajt sjell në kujtesë edhe një ngjarje tjetër të rëndë, pas së cilës një zyrtar i lartë i Policisë së Kosovës kishte dhënë dorëheqje.
Më 30 gusht 2022, drejtori i atëhershëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, dha dorëheqje pas rastit të dhunimit të një 11-vjeçareje në Prishtinë nga pesë persona të dyshuar.
Dorëheqjen e tij e kishte bërë publike ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke thënë se ajo lidhej me arsye personale dhe ndërgjegje profesionale.
Në atë kohë, kryeministri Albin Kurti e kishte liruar Mehmetin nga detyra dhe kishte caktuar Fehmi Hotin ushtrues detyre të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
Katër vjet më vonë, pas vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun që i kanosej jetës së saj, çështja e përgjegjësisë mbetet sërish në qendër të debatit publik.
Dallimi është se, ndonëse në këtë rast janë suspenduar zyrtarë policorë dhe prokurorë, përgjegjësia politike ende nuk është shoqëruar me asnjë dorëheqje. Madje, dy ministrat që po përballen me kërkesat për largim kanë bërë të ditur se prioritet për ta është identifikimi i përgjegjësive dhe adresimi i shkeljeve, e jo dorëheqja.
Arlinda Zekaj kishte kërkuar ndihmë dhe mbrojtje nga institucionet, por nuk arriti të shpëtonte./Reporteri
















