Lëvizja Vetëvendosje, e cila para dhjetë vjetësh kishte ngritur akuza dhe dyshime ndaj Luan Kekës lidhur me hetimet për rastin e Astrit Deharit, tashmë, në kohën kur është në pushtet, e ka avancuar atë në pozitën e drejtorit të ri rajonal të Policisë në Gjilan.
Luan Keka, i cili në vitin 2016 ishte zëvendësdrejtor i Njësisë së Antiterrorizmit dhe ishte përfshirë në zhvillimin e hetimeve ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes të arrestuar në lidhje me rastin e sulmit ndaj Kuvendit të Kosovës, tashmë është emëruar në një pozitë të rëndësishme drejtuese në Policinë e Kosovës.
Në atë kohë, Vetëvendosje kishte ngritur publikisht dyshime për lidhjet e Kekës me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). Përmes një reagimi publik, partia kishte pretenduar se ai ishte vendosur në pozitën e zëvendësdrejtorit të Antiterrorizmit falë ndikimit të PDK-së.a
Për ta mbështetur pretendimin e saj, Vetëvendosje kishte publikuar edhe fotografi të Kekës në shoqëri të bashkëshortes së tij, Miranda Keka, e cila kishte qenë kandidate e PDK-së për deputete. Në një fotografi tjetër, ajo shihej në shoqëri të ish-shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti.

Këto pretendime ishin pjesë e përplasjes politike të kohës, kur Vetëvendosje kundërshtonte mënyrën se si po zhvilloheshin hetimet dhe rolin e zyrtarëve policorë në rastin që lidhej me arrestimin e aktivistëve të saj dhe vdekjen e Astrit Deharit.
Dhjetë vjet më vonë, situata paraqitet ndryshe. Vetëvendosje tashmë është në pushtet dhe Luan Keka është avancuar në pozitën e drejtorit të ri rajonal të Policisë në Gjilan.















