Komuna e Prishtinës ka shpenzuar hiq më pak se 2 milionë e 180 mijë e 417 euro nga fondet e një kredie prej 5 milionë eurosh të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për projekte që nuk ishin të përfshira në marrëveshjen e financimit.
Kështu ka gjetur në raportin e saj Zyra Kombëtare e Auditimit.
Sipas raportit të auditimit Komuna kishte realizuar 21 pagesa në kundërshtim me qëllimin e kredisë, e cila ishte marrë për investime në efiçiencën e energjisë në 47 objekte publike, përfshirë shkolla, kopshte dhe qendra të mjekësisë familjare, shkruan Insajderi.
Sipas këtij raporti 700 mijë e 374 euro janë shpenzuar për ndërtimin, zgjerimin dhe modernizimin e rrjetit të ndriçimit publik, ndërsa 441 mijë e 25 euro për fasadimin e ndërtesave të vjetra në kryeqytet.
Po ashtu, 827 mijë e 911 euro janë paguar për kontrata të regjistruara si projekte të efiçiencës së energjisë, por që, sipas auditimit, në fakt kishin të bënin me fasadimin e ndërtesave të vjetra që nuk ishin pjesë e listës së objekteve të parapara në marrëveshje.
Pjesa tjetër përfshin 124 mijë e 269 euro për bashkëfinancimin e një projekti me Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, 48 mijë e 89 euro për ndërtimin e rrethojave të sigurisë në komunikacion dhe 38 mijë e 748 euro për shërbimet e grumbullimit, transportit dhe deponimit të mbeturinave.













