UEFA po përgatit një lëvizje të papritur në garën për president të FIFA-s.
Kur kanë mbetur më pak se 72 orë deri në përfundimin e afatit për dorëzimin e kandidaturave, Philippe Diallo, presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, është shfaqur si kandidati kryesor për t’i bërë konkurrencë Gianni Infantinos.
Sipas raportimeve të “The Guardian”, UEFA ka hequr dorë nga ideja fillestare për të mbështetur një ish-futbollist apo trajner të njohur dhe tashmë po shqyrton mundësinë që të bashkohet rreth një drejtuesi me përvojë administrative.
Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s pritet ta diskutojë këtë çështje dhe më pas të kërkojë mbështetjen e 55 federatave anëtare.
Diallo ka qenë një kritik i hapur i Infantinos. Në shtator, ai e akuzoi presidentin aktual të FIFA-s se kishte dëmtuar rëndë imazhin dhe unitetin e futbollit.
“Besimi është humbur”, kishte deklaruar kreu i futbollit francez.
Ndërkohë, mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë me kandidaturën e Kozo Tashimës, ish-presidentit të Federatës Japoneze të Futbollit, i cili gjithashtu synon të sfidojë Infantinon.
UEFA shpreson se Diallo mund të sigurojë mbështetje edhe nga federatat frankofone afrikane.
Megjithatë, ekziston frika se disa kandidatë kundër Infantinos mund t’ia lehtësojnë atij rrugën drejt një mandati të ri. /Gazeta Express















