Zyrtarët e Juventusit po punojnë prapa skenave përpara afatit kalimtar të dimrit, duke piketuar tashmë objektivat kryesorë për ta përforcuar skuadrën në vazhdimin e sezonit.
Sipas asaj që raporton e përditshmja italiane La Gazzetta dello Sport, “Zonja e Vjetër” planifikon të afrojë tre lojtarë të rinj në ekipin e drejtuar nga Luciano Spalletti: një mbrojtës të majtë, një mesfushor dhe një sulmues qendre, transmeton IndeksOnline.
Objektivat kryesorë të bardhezinjve vijnë nga kampionate të tjera evropiane, algjeriani i Manchester Cityt, Rayan Ait-Nouri, danezi i Marseilles, Pierre-Emile Hojbjerg, si dhe sulmuesi norvegjez i Atletico Madridit, Alexander Sorloth.
Si alternativa për krahun e majtë të mbrojtjes po shqyrtohen spanjolli Alejandro Balde i Barcelonës dhe italiani Destiny Udogie i Tottenhamit.
Në mesfushë, një tjetër opsion është francezi Darryl Bakola i Sassuolos, i cili megjithatë shihet më shumë si një investim për të ardhmen.
Ndërkaq, për repartin ofensiv, në listën e alternativave figurojnë amerikani Folarin Balogun i Monacos, italiani i Atalantas, Gianluca Scamacca, si dhe Mateo Retegui i Al-Qadsiah.
Megjithatë realizimi i tre transferimeve nuk do të jetë i lehtë, jo vetëm për shkak të aspektit financiar pavarësisht se rritja e kapitalit e njoftuar së fundmi mund ta lehtësojë situatën por edhe për faktin se Juventusi aktualisht ka një skuadër të mbingarkuar.
Për këtë arsye, drejtuesit e klubit torinez synojnë të realizojnë disa largime së shpejti, ku në mesin e lojtarëve që pritet të largohen figuron edhe ylli i Kosovës, Edon Zhegrova, së bashku me Arkadiusz Milik, Kamil Grabara dhe Daniele Rugani.














