Gjykata Rajonale e Wiener Neustadt-it në Austrinë e Poshtme dënoi të martën me burgim të përjetshëm një burrë 47-vjeçar për vrasjen e gruas së tij. Gjykata urdhëroi edhe vendosjen e tij në një qendër forenzike-terapeutike. Vendimi nuk është i formës së prerë, raporton Veriu.info.
Sipas mediave austriake, i dënuari është shtetas austriak me prejardhje nga Kosova. Me prejardhje kosovare ishte edhe gruaja e tij.
Vrasja ndodhi të dielën e Pashkëve, më 5 prill 2026, në Sooß të rrethit Baden. Viktima, 38 vjeçe që ishte nënë e katër fëmijëve, u gjet e vdekur në oborrin e një shtëpie, me plagë nga thika dhe nga arma e zjarrit. Ajo jetonte e ndarë nga burri i saj. Pas krimit, ai e thirri vetë policinë dhe më pas e pranoi vrasjen, raporton Veriu.info.
Sipas portalit Heute, burri besonte në magji të zezë dhe e konsideronte gruan shtrigë. Një ekspertizë shtesë psikiatrike e ka vlerësuar se ishte në gjendje psikotike.
Në gjyq u akuzua edhe një burrë 45-vjeçar, i dyshuar se i kishte dhënë të akuzuarit në Vjenë një pistoletë 9-milimetërshe. Sipas aktakuzës, ai ka një të kaluar të rëndë kriminale dhe ka mbajtur 16 vjet burg për tentativë vrasjeje. Gjykata e shpalli të pafajshëm për bashkëpunim në vrasje.
Burimi: Der Standard, Heute, APA















