Një moment emocional ka ndodhur gjatë ceremonisë së lamtumirës së Lionel Messit, kur mesfushori i ri Nico Paz ka marrë një mesazh të veçantë nga nëna e yllit argjentinas, Celia.
Sipas rrëfimit të xhaxhait të Pazit për radion argjentinase “Radio La Red”, futbollisti i ri doli nga zhveshtorja dhe pa Celian duke qarë. Kur iu afrua për ta përshëndetur, ajo ia mori dorën dhe i tha: “Ti je pasardhësi i djalit tim.
Fjalët e saj e emocionuan jashtëzakonisht shumë Nico Pazin. Xhaxhai i tij ka treguar se, pasi u fut në veturë, futbollisti i tha: “Nuk mund ta besoj atë që sapo ndodhi!”.
Ky mesazh shihet si një vlerësim i veçantë për talentin e ri, i cili po konsiderohet një nga emrat premtues të futbollit argjentinas dhe një kandidat për të pasur rol të rëndësishëm në të ardhmen e përfaqësueses./Indeksonline/













