Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë njoftuar për zhvillimet e fundit në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, duke bërë të ditur se Krasniqi është kthyer në Hagë më 21 nëntor 2026, pas vizitës humanitare në Kosovë.
Sipas njoftimit të gjykatës, vizita ishte miratuar nga Trupi Gjykues për arsye bindëse humanitare.
Ndërkohë, më 24 nëntor, Trupi Gjykues urdhëroi publikimin e versioneve me më pak redaktime të transkripteve që përmbajnë dëshmitë e nëntë dëshmitarëve të Prokurorisë, duke iu shtuar vendimeve të mëparshme për publikimin e dëshmive të 67 dëshmitarëve në procesin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
Në njoftim, DHSK-ja ka theksuar përkushtimin ndaj transparencës dhe mbrojtjes së dëshmitarëve e viktimave, ndërsa ka bërë të ditur se në kuadër të Javës së Drejtësisë në Hagë ka organizuar aktivitete për publikun, duke u mundësuar vizitorëve të njihen me hapësirat, mandatin dhe punën e gjykatës.














