
Deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetes që mori një vit më parë në zgjedhjet e 25 prillit në qarkun e Tiranës.
Lajmi ka nisur të qarkullojë nëpër media që datën e djeshme, por sot Duma e ka konfirmuar gjatë një deklaratë për mediat nga ambientet e kryesisë së Kuvendit.
Që në nisje të fjalimit të saj Duma tha se kishte dorëzuar zyrtarisht mandatin, ndërsa mes emocionesh u shpreh se një gjë nuk ia fal politikës së llumit, se me deklaratat kundër saj është prekur djali i saj.
“Pak çaste më parë kam dorëzuar formalisht dhe zyrtarisht shkresën për lënien e mandatit të deputetes. Pas një reflektimi të gjatë, për të bërë të duhur për partinë time dhe votuesit që përfaqësoj, ky është vendimi i duhur. Mendoj se në politikë fatet individuale vlejnë të konsiderohen dhe rimendohen vetëm kur shkojnë në një kahje me fatet e njerëzve që përfaqësojmë. Kurrë e kundërta, megjithëse është bërë. Fati i njerëzve që përfaqësoj është misioni që zgjodha. Më e thjeshta do të ishte që të kisha qëndruar”, tha Duma.
Përflitet se Duma ka lënë mandatin për një projekt që do t’i përkushtohet në vijim dhe që ka të bëjë me televizionin. Duma mendohet se të drejtojë një emision, formati i të cilit ende nuk është bërë i ditur.
Një ditë më parë edhe Alfred Rushaj ka hequr dorë nga mandati i deputetit duke ia pasur Petrit Dodës. Tashmë që Duma la mandatin, sipas votave në Kuvend futet Ori Nebiaj.










