Një person ka përfunduar në prangat e Policisë së Kosovës gjatë ditës së sotme në Prishtinë, pasi dyshohet se ka kërcënuar seriozisht një grua, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur në rrugën ‘Emin Duraku’, ku viktima ka një lokal për bimë, çaja, erëza e produkte tjera bimore. 38-vjeçari dyshohet se ka shkuar në lokalin e 36-vjeçares dhe të njëjtën e ka kërcënuar se do ta vrasë.
Përballë kësaj situate, ajo e shqetësuar ka lajmëruar Policinë e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe pas veprimeve hetimore është arritur që të arrestohet personi i dyshuar.
Gjatë kontrollit të 38-vjeçarit, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar edhe substancë të dyshuar narkotike.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit, ka nxjerrë aktvendim që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti për veprat penale ‘Kanosje’ dhe ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.












