Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci e ka konfirmuar se së shpejti do të japë dorëheqje nga kjo pozitë.
Ai tha se arsyet janë personale dhe se dorëheqjen do ta dorëzojë në fund të këtij viti.
“Është e vërtetë se kam planifikuar që deri në fund të vitit 2022 të tërhiqem nga posti i zëvendësministrit të MASHTI dhe këtë ja kam komunikuar Ministres Nagavci dhe Kryeministrit Kurti në tetor. Arsyet janë të natyrës personale. Për korrektësi, dorëheqjen formale nuk e kam paraqitur akoma, por këtë do ta bëj në kohën e duhur, kur t’i përfundoj edhe disa punë që i kam filluar dhe në koordinim me Ministren e Kryeministrin. Edhe pasi të jem larguar nga posti i tanishëm do të mbetem aktiv në fushën e arsimit”, tha Pupovci në një përgjigje me shkrim për Sinjalin.
Ndryshe, njohësi i çështjeve të arsimit, ishte emëruar zëvendësministër në prill të vitit 2021.
Pupovci është profesor universitar dhe ekspert i arsimit tashmë e disa vite. Ai shkollën fillore dhe atë të mesme i mbaroi në Prishtinë.
Studimet e matematikës i përfundoi në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore (FSHMN) të Universitetit të Prishtinës, kurse studimet pasuniversitare të magjistraturës në fushën e matematikës aplikative i përfundoi në Universitetin e Zagrebit, duke mbrojtur temën e magjistraturës me titull “Konvergjenca e metodave paralele për reduktimin e normës”.
Disertacionin e doktoratës me titull “Paralelizimi i disa metodave të tipit të Jakobit për zgjidhjen e problemit të vlerave vetjake” e mbrojti në FSHMN të Universitetit të Prishtinës.
Pupovci ka kontribuar në zhvillimin e dokumenteve të rëndësishme të politikave dhe është bashkautor i studimeve e artikujve në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor në Kosovë. Nga marsi i vitit 2000 ka qenë drejtor ekzekutiv i Qendrës për Arsim të Kosovës (KEC), organizatë joqeveritare e specializuar në fushën e arsimit.












