Deklarimet e presidentit serb, Aleksnader Vucic, rreth epilogut final të Gjykatës Speciale, Nevenka Tromp i ka quajtur si një manipulim politik dhe luftë psikologjike në kurriz të dobësisë së Gjykatës Speciale, shkruan Gazeta Express.
Profesoresha Tromp, ka thënë se Vuçiq duke parashikuar lirimin e Thaçit për akuzat për krime lufte, ai po i ngre kurth komunitetit ndërkombëtar dhe po e minon vendimin final të gjykatës para se ai të jepet.
“Deklaratat e Vuçiqit janë një shfaqje arrogante e manipulimit politik dhe luftës psikologjike, e dizajnuar për të shfrytëzuar dobësinë e gjykatës. Duke parashikuar publikisht se Hashim Thaçi do të dënohet vetëm për ndërhyrje në dëshmitarë, ndërsa do të lirohet nga akuzat kryesore për krime lufte, Vuçiq po i ngre paraprakisht një kurth komunitetit ndërkombëtar dhe po e minon vendimin përfundimtar të gjykatës para se ai të lexohet”, ka thënë Tromp në një intervistë për Gazetën Express.
Ajo ka thënë se nuk beson që deklarimet e tij kanë të bëjnë me informacione të brendshme dhe se janë kalkulim politik.
“Nuk besoj se bëhet fjalë për informacion të brendshëm; kjo është një lëvizje e kalkuluar politike. Nëse Thaçi shpallet i pafajshëm për krimet e luftës, Vuçiq do ta shfrytëzojë këtë politikisht, brenda dhe jashtë Serbisë, për të pretenduar se Dhomat e Specializuara janë një farsë e plotë që mbron “terroristët shqiptarë”, duke nxitur zemërimin nacionalist për përfitime elektorale në Serbi”, ka thënë Tromp, duke rikujtuar se zgjedhjet pritet të mbahen në tetor.
Tromp thotë se në rast të dënimit të Thaçit, Vucic do të marrë meritat për presionin e Beogradit.
“Nëse Thaçi dënohet, Vuçiq do të marrë meritat për presionin e pandërprerë diplomatik të Beogradit. Fakti që një kryetar shteti i huaj, që përfaqëson regjimin agresiv të viteve ’90, ndihet komod të diktojë publikisht dhe të përcaktojë paraprakisht rezultatet e një gjykate që supozohet të jetë e pavarur, tregon se sa thellë të komprometuara, të ekspozuara dhe të cenueshme ndaj manipulimit politik janë Dhomat e Specializuara të Kosovës.”, ka potencuar ajo.













