Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku, ka konfirmuar se grupi parlamentar i LDK-së do të marrë pjesë në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Lushaku ka bërë të ditur se vendimi është marrë nga grupi parlamentar, me qëllim që të kontribuohet në konstituimin e Kuvendit dhe funksionalizimin e institucioneve të vendit.
“Vendosëm si grup të marrim pjesë në seancë dhe t’i kontribuojmë konstituimit të Kuvendit, meqë Kosova është në një fazë të rëndësishme për themelimin e institucioneve dhe funksionalitetin e saj”, deklaroi Lushaku.
Ajo tha se LDK-ja vazhdimisht ka bërë thirrje që Kuvendi të konstituohet sa më shpejt dhe institucioneve t’u rikthehet funksionaliteti.
“Prandaj kemi bërë thirrje që të konstituohet Kuvendi sa më parë të jetë e mundshme dhe institucioneve t’u kthehet funksionaliteti i tyre. Vendosëm të marrim pjesë në seancë dhe të japim kontributin tonë për t’i dhënë institucione Kosovës”, u shpreh ajo.












