Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Afera 8 milionëshe: Mbyllja e dyshimtë e rastit nga Kryeprokurori dhe lidhja me biznesmenin Ragip Mustafa

27/08/2026 - 15:39
në Kryesore, Lajme
A A
Afera 8 milionëshe: Mbyllja e dyshimtë e rastit nga Kryeprokurori dhe lidhja me biznesmenin Ragip Mustafa
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Një tender prej 8 milionë eurosh, certifikata të falsifikuara, një prokuror që mori në dorë rastin dhe vendosi ta mbyllte atë, derisa në të njëjtën periudhë jetonte në një banesë të ndërtuar nga kompania e biznesmenit të hetuar. Prokurori në fjalë është Zejnullah Gashi, sot Kryeprokuror i Shtetit. Ai ia mbylli një rast të madh penal Ragip Mustafës. Më pas u hetua për konflikt interesi për një banesë mbi 100 metra katrorëshe, të cilën hetuesit pretendonin se e kishte regjistruar në emër të tezakut të vet. Rrethanat nuk u sqaruan kurrë.

Merushe Llugiqit ia hoqën rastin e tenderit 8.4 milionësh të Ministrisë së Mbrojtjes.

Prokurorja e Prokurorisë në Prishtinë po e hetonte biznesmenin Ragip Mustafa, pronarin e kompanisë “Beni Dona”.

Mustafa dyshohej se kishte paraqitur certifikata të falsifikuara për të fituar tenderin për furnizim me ushqim të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kompania e tij ishte shpallur fituese e tenderit në fund.

Më pas, rastin ia morën Llugiqit. Ajo u largua nga departamenti i korrupsionit dhe u transferua në një departament tjetër në Prokurorinë e Prishtinës. Lënda përfundoi te një nga dy shefat e saj: asokohe zëvendëskryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi.

Rreth një vit më vonë, Gashi e mbylli rastin ndaj Mustafës, ndonëse provat e siguruara gjatë hetimeve dëshmonin se ekzistonte dyshimi i bazuar për ndjekje penale ndaj tij. Në të njëjtën periudhë kohore, prokurori Gashi jetonte në një banesë të ndërtuar nga “Beni Dona”.

Por mbyllja e këtij rasti do të hapte një tjetër hetim.

Me urdhër të Kryeprokurorit të Shtetit, lënda do të delegohej nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në Prokurorinë Themelore në Ferizaj.

Këtë herë, objekt i hetimit ishte vetë zëvendëskryeprokurori Zejnullah Gashi. Ai do të hetohej për dyshime për konflikt interesi.

Hetimi lidhej me banesën ku ai jetonte në kohën kur ia mundësoi biznesmenit Ragip Mustafa që t’i shpëtonte përgjegjësisë për dy vepra penale duke ia mbyllur rastin. Bëhej fjalë për një apartament në kompleksin “Beni Dona” në lagjen Pejton të Prishtinës. Kompleksi ishte ndërtuar nga kompania e biznesmenit Ragip Mustafa.

Sipas një raporti të Task Forcës Kundër-Korrupsion, hetimi ishte nisur pikërisht mbi dyshimet për lidhjen mes banesës dhe vendimit të Gashit për mbylljen e rastit, duke shpërfillur provat e mbledhura gjatë hetimeve, të cilat konstatonin ekzistencën e dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale nga i dyshuari Ragip Mustafa.

Banesa ku Gashi thuhej se jetonte me qira ishte e regjistruar në emër të një familjari të tij.

Edhe ky rast u mbyll nga Sebahate Sinani, prokurore e Prokurorisë në Ferizaj. Sinani nuk ndërmori asnjë veprim hetimor për të verifikuar se si ishte blerë banesa mbi 100 metra katrorë në kompleksin “Beni Dona”, si ishte paguar ajo dhe në emër të kujt ishte e regjistruar.

Ajo konstatoi se edhe nëse prokurori Gashi jetonte në banesën e ndërtuar nga “Beni Dona”, nuk ekzistonte asnjë provë që do të vërtetonte dyshim të arsyeshëm se ishte kryer vepra penale e konfliktit të interesit.

“Pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, Prokurori i Shtetit ka ardhur në përfundim se në këtë çështje penale nuk ka asnjë provë që do të vërtetonte dyshim të arsyeshëm se është kryer vepra penale Konflikti i Interesit”, thuhet në aktvendim.

Paparaci ka siguruar dosjen e plotë të rastit – përfshirë raportet hetimore të Task Forcës Kundër-Korrupsion, aktvendimet për mbylljen e rasteve dhe shkresat e tjera të lëndëve.

Tenderi 8.4 milionësh dhe certifikatat e falsifikuara

Ragip Mustafa, pronar i kompanisë “Beni Dona” dhe një nga përfituesit e mëdhenj të tenderëve publikë, u hetua për tri vite radhazi nën dyshimet për mashtrim dhe falsifikim në një tender me vlerë 8.4 milionë euro të Ministrisë së Mbrojtjes.

Rasti u hetua nga Task Forca Kundër-Korrupsion e Policisë së Kosovës.

Mustafa dyshohej se kishte falsifikuar dy certifikata ISO për të përfituar tenderin prej 8.4 milionë eurosh për furnizim me ushqim të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Sipas gjetjeve të hetimit, ai dyshohej se ishte në dijeni të falsifikimit të dokumenteve të paraqitura në procedurën e prokurimit.

Rasti ndaj tij ishte mbyllur fillimisht nga Merushe Llugiqi, prokurore në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, në janar të vitit 2020.

Ajo nxori një “shënim zyrtar”, përmes të cilit konstatoi se nuk ishin gjetur elemente të kryerjes së veprave penale nga biznesmeni Ragip Mustafa.

Mbyllja e rastit përmes një shënimi zyrtar nga prokurorja Merushe Llugiqi

Megjithatë, Task Forca Kundër-Korrupsion e Policisë së Kosovës kishte vazhduar hetimin. Hetuesit kishin siguruar prova që, sipas tyre, krijonin dyshim të arsyeshëm se Ragip Mustafa kishte mashtruar në tenderin me vlerë 8.4 milionë euro.

Në tetor të vitit 2021, puna e gjatë hetimore e Task Forcës Kundër-Korrupsion u finalizua me kallëzim penal kundër biznesmenit Mustafa. Kallëzimi mbështetej në prova dhe në deklarata të dëshmitarëve, përfshirë dëshminë e përfaqësuesit të një kompanie gjermane, i cili kishte konfirmuar falsifikimin e certifikatave të kompanisë “Beni Dona”.

Sipas kallëzimit penal të dërguar fillimisht në Prokurorinë Speciale, të deleguar pastaj në Prokurorinë e Prishtinës, biznesmeni Mustafa dyshohej se kishte kryer veprat penale “legalizimi i përmbajtjes së rreme” dhe “mashtrimi në prokurimin publik”.

Por, prokurorja Merushe Llugiqi ndodhej nën presion për mbylljen e rastit, sipas një raporti zyrtar informues mbi zhvillimin e hetimeve në rastin “Beni Dona”, të përgatitur nga Task Forca Kundër-Korrupsion.

Në raportin e shefit të Njësisë së Veçantë Hetimore, majorit Shemsi Haziri, të cilin e ka siguruar Paparaci, thuhet se Llugiqi u kishte thënë hetuesve policorë se “kishte presion për këtë rast” dhe se duhej të bisedonin me eprorët e saj, Kryeprokurorin Kujtim Munishi dhe zv.kryeprokurorin Zejnullah Gashi.

Faqet 3 dhe 4 të raportit informues të Task Forcës Kundër-Korrupsion të datës 04.04.2022

Në fund të atij viti, lënda do t’i merrej prokurores Llugiqi. Ajo u degradua dhe u transferua në një departament tjetër.

“Pastaj në fundin e vitit 2021, nëpërmjet telefonit i kishte deklaruar hetuesit të rastit se e kishin larguar nga rastet e korrupsionit dhe tani ishte në një departament tjetër”, thuhej në raportin zyrtar të majorit Shemsi Haziri.

Për këtë raport, në dijeni ishin vendosur edhe kryeministri Albin Kurti, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Malokut, si dhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Zejnullah Gashi vendos fatin e rastit të Ragip Mustafës

Dosja e siguruar nga Paparaci zbulon se lëndën që ia hoqën prokurores Llugiqi, e mori në trajtim Zejnullah Gashi, asokohe zëvendëskryeprokuror i Prishtinës.

Pavarësisht provave të mbledhura gjatë hetimeve të zhvilluara nga Task Forca Kundër-Korrupsion, të cilat konfirmonin se biznesmeni Ragip Mustafa kishte paraqitur dokumente të falsifikuara në tenderin e Ministrisë së Bujqësisë, Zejnullah Gashi nxori aktvendim për hudhjen e kallëzimit penal ndaj biznesmenit Mustafa.

Aktvendimi, të cilin e ka siguruar Paparaci, u nxor më 24 mars 2022. Prokurori Zejnullah Gashi e arsyetoi vendimin me arsyetimin se nuk ekzistonte dyshimi i bazuar se Ragip Mustafa kishte kryer veprat penale për të cilat dyshohej.

Aktvendimi i prokurorit Zejnullah Gashi për mbylljen e rastit të Ragip Mustafës

Arsyetimi i Gashit për hudhjen e kallëzimit penal përputhej në thelb me versionin e dhënë nga vetë i dyshuari, Ragip Mustafa, gjatë intervistimit të tij në Prokurori.

Mustafa pretendonte se certifikatat ISO, gjoja me validitet nga maji i vitit 2018 deri në maj të vitit 2019, nuk ishin lëshuar nga kompania gjermane ‘Royal Cert’, siç ishin prezantuar në tender, por nga kompania ‘EAS International Control and Certification’ nga Maqedonia e Veriut.

Kjo kompani, sipas të dhënave të siguruara nga hetuesia, vepronte si agjente lokale e kompanisë gjermane. Ajo nuk ishte kompetente për lëshimin e certifikatave për sisteme të menaxhimit të cilësisë sipas standardeve ndërkombëtare. Organ i vetëm që mund të lëshonte certifikata ishte kompania gjermane ‘Royal Cert’.

Prokurori Gashi e arsyetoi hedhjen e kallëzimit penal me pretendimin se biznesmeni Ragip Mustafa nuk ishte në dijeni që po mashtronte në procesin e prokurimit për tenderin 8.4 milionësh.

Arsyetimi i prokurorit Zejnullah Gashi për hudhjen e kallëzimit penal

Sipas aktvendimit që nxori ai, vepra penale “legalizimi i përmbajtjes së rreme” kryhet përmes mashtrimit, i cili nënkupton “se çdo paraqitje me paramendim e me vetëdije e diçkaje të pavërtetë, me qëllim që të krijohet lajthitja për ekzistimin e ndonjë fakti relevant juridik”. Gashi vlerësonte se kjo vepër penale kryhet vetëm me dashje të drejtpërdrejtë.

Dhe, sipas prokurorit, kjo dashje nuk kishte ekzistuar në rastin e biznesmenit Ragip Mustafa.

Provat e grumbulluara gjatë hetimeve nga Task Forca Kundër-Korrupsion e rrëzonin versionin e prokurorit Gashi.

Në kallëzimin penal të Task Forcës, tregojnë shkresat zyrtare të lëndës, konstatohej se biznesmeni Mustafa kishte qenë i vetëdijshëm për falsifikimin dhe për paraqitjen e dokumenteve në tenderin me vlerë 8.4 milionë euro.

Hetuesit policorë e bazonin këtë konstatim në faktin se Mustafa, përveç që kishte prezantuar dy certifikata ISO në emër të kompanisë gjermane ‘Royal Cert’ me afat të skaduar, njërën prej dy certifikatave nuk e kishte poseduar asnjëherë më parë.

Kësisoj, rrëzohej arsyetimi në aktvendimin për mbylljen e hetimeve se kinse biznesmeni Mustafa nuk kishte qenë në dijeni se certifikatat ishin të falsifikuara.

“Në kallëzimin penal kemi sqaruar shumë saktë se nuk ka fare lidhje falsifikimi i çertifikatave ISO me ndërprerjen e bashkëpunimit në mes të kompanisë Royal Cert nga Gjermania me kompaninë EAS Control and Certification nga Maqedonia e Veriut”, thuhet në raportin informues të majorit Haziri.

Raporti informues të cilin shefi i Task-Forcës ia kishte dërguar Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi dhe Kryeministrit Albin Kurti

Gashi kishte shpërfillur prova të forta si deklaratën e dëshmitarit Muhamet Alpin Namli të kompanisë gjermane Royal Cert, e cila ishte dhënë në Prokurorinë Federale të Gjermanisë lidhur me çertifikatat false. Nuk kishte marrë në konsideratë as një shkresë të kompanisë Royal Cert dërguar kompanisë Beni Dona, ku i kërkohej ndalimi i menjëhershëm i përdorimit të çertifikatave false.

Në uebfaqen e kompanisë gjermane Royal Cert, në databazën e kompanisë, çertifikata ISO 2200:2005 rezulton me afat të skaduar, me validitet deri më datën 06.04.2018. Çertifikata tjetër ISO 9001:2015 nuk figuron fare në databazën e kompanisë gjermane.

Kryeprokurori jeton në kompleksin “Beni Dona”

Me aktvendimin e prokurorit Zejnullah Gashi, rasti kundër Ragip Mustafës u mbyll përfundimisht.

Biznesmeni nuk do të mund të ndiqej kurrë më penalisht për të njëjtat fakte, përveç rasteve të parashikuara me Ligj.

Por kjo nuk nënkuptonte amnisti për asokohe zëvendëskryeprokurorin e Prishtinës, Zejnullah Gashin.

Hetime të tjera të zhvilluara nga Task Forca Kundër-Korrupsion rezultuan me hapjen e një rasti të ri për të njëjtën temë. Vetëm rolet kishin ndryshuar. Prokurori Gashi tani ndodhej në procedurë penale si i dyshuar.

Hetuesit e Task Forcës Kundër-Korrupsion siguruan informacione mbi dyshimet për përfshirjen e prokurorit Gashi në konflikt interesi. Këto informacione ia përcollën u.d. Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, më 22 gusht 2022.

Në raport thuhej se ekzistonte dyshim i bazuar se prokurori Zejnullah Gashi jetonte në një banesë, objekti i së cilës ishte ndërtuar nga “Beni Dona”.

“Nga informacionet të cilat posedojmë, ekziston dyshimi i bazuar se prokurori Zejnullah Gashi i cili ka pushuar hetimet në lidhje me këtë rast, aktualisht është duke banuar në objektin e ndërtuar nga kompania ‘Beni Dona’, në lagjen Lakrishtë, kompleksi banesor…”, thuhej në raportin e Task Forcës.

Banesa, sipas hetuesve të Njësisë së Veçantë Hetimore, “është në emrin e djalit të tezës së tij [Zejnullah Gashit, v.j]”.

“Kjo çështje duhet të hetohet dhe vërtetohet se kur dhe si është paguar kjo banesë mbi 100 metra katror”, thuhej në raportin informues që shefi i Task Forcës, majori Shemsi Haziri, ia dërgoi u.d. kryeprokurorit Besim Kelmendi më 22.08.2022.

Lënda iu delegua prokurores së Prokurorisë në Ferizaj, Sebahate Sinanit, e cila e mbylli menjëherë rastin.

Sinani e shpalli të mbyllur rastin e paraqitur përmes raportit informues mbi zhvillimin e hetimeve të rastit “Beni Dona”, me arsyetimin se “nuk është vërtetues dyshimi i arsyeshëm se është kryer vepra penale Konflikt i Interesit” nga prokurori Zejnullah Gashi.

“Sa i përket pretendimeve të palës ankuese se prokurori Gashi ka mund të jetë në gjendje të konfliktit të interesit, për shkak se jeton në një banesë të ndërtuar nga kompania ‘Beni Dona’ me pronar të dyshuarin Ragip Mustafa, një pretendim i tillë nuk qëndron për faktin se vepra penale Konflikti i interesit nga neni 417 i KPRK-së kryhet në dy forma”, thuhet në raportin e prokurores Sinani për mbylljen e rastit.

Raporti për mbylljen e rastit për konflikt interesi të prokurorit Zejnullah Gashi

“Forma e parë e kësaj vepre penale konsumohet kur personi zyrtar merr pjesë në vendimmarrje, nëse ai apo dikush nga anëtarët e familjes së tij në çështjen e njëjtë kanë interes financiar (paragrafi 1), kurse forma e dytë konsumohet nëse konflikti i interesit ka të bëjë me prokurimin publik- ankandin publik, tenderat e ndryshëm etj. (paragrafi 2)”, sipas raportit.

Mbyllja e rastit nga prokurorja Sinani, më 10 nëntor 2022, shënoi fundin e hetimeve për çështjen që lidhej me rastin e tenderit 8.4 milionësh – hetime që përfundimisht ishin mbyllur nga prokurori Zejnullah Gashi.

Hetimi për konfliktin e interesit të Gashit përfundoi pa u ndërmarrë veprime të mjaftueshme për të sqaruar rrethanat e banesës ku ai jetonte dhe lidhjen e saj me kompaninë “Beni Dona”.

Paparaci ka dërguar të mërkurën pyetje në adresë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit me kërkesë për sqarimin e rrethanave të banesës dhe rastit të mbyllur të biznesmenit Mustafa, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Ndërkohë, Ragip Mustafa vazhdon të jetë pjesëmarrës në prokurimin publik dhe ka vazhduar të përfitojë kontrata nga institucionet publike.

Katër vjet pas mbylljes së rastit ndaj Mustafës, Zejnullah Gashi u ngrit në majën e sistemit prokurorial.

Gashi, me dekret të u.d. presidentes Albulena Haxhiu, u emërua në detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit në korrik të këtij viti.

Tash, në krye të institucionit që duhet të garantojë ndjekjen e krimit, është pikërisht prokurori që disa vite më parë vendosi t’ia mbyllte rastin penal një biznesmeni, emri i të cilit është i lidhur ngushtë me tenderët publikë dhe botën e politikës. /Paparaci.com

JU REKOMANDOJMË

Vdes në burg krimineli Mladiq, “Kasapi i Bosnjës” ishte i dënuar me burgim të përjetshëm

Vdes në burg krimineli Mladiq, “Kasapi i Bosnjës” ishte i dënuar me burgim të përjetshëm
27/08/2026 - 15:12

Ratko Mladiqi, kriminel lufte i dënuar, i cili ishte komandant i përgjithshëm i Ushtrisë së Republikës Srpska, ka vdekur sot në moshën 85-vjeçare në burgun e Hagës, kanë...

Më shumëDetails

“Ia përplasi kokën për toke disa herë”, Prokuroria me detaje tronditëse për vrasjen e 80 vjeçares në Prizren

“Ia përplasi kokën për toke disa herë”, Prokuroria me detaje tronditëse për vrasjen e 80 vjeçares në Prizren
27/08/2026 - 14:48

Një 80-vjeçare të mërkurën dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj 81 vjeç. Prokuroria Themelore në Prizren të enjten ka njoftuar se e moshuara vdiq si pasojë...

Më shumëDetails

Reuters zbulon dokumentin: Përgatiten 4 skenare, SHBA mund t’i tërheq deri në 80 mijë trupa nga Europa

Reuters zbulon dokumentin: Përgatiten 4 skenare, SHBA mund t’i tërheq deri në 80 mijë trupa nga Europa
27/08/2026 - 14:44

Një rishikim i Pentagonit për dislokimet e trupave amerikane në Europë do të krijojë të paktën katër grupe opsionesh për sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, deri më 6...

Më shumëDetails

“Liria ka Emër” lanson sonte “Orën e Pritjes” në Skenderaj

“Liria ka Emër” lanson sonte “Orën e Pritjes” në Skenderaj
27/08/2026 - 14:25

Platforma “Liria ka Emër” do të lansojë sonte “Orën e Pritjes” në qytetin e Skenderajt. Sipas komunikatës së platformës, aktiviteti do të mbahet në orën 20:30, në sheshin...

Më shumëDetails

E trishtë: Publikohet fotoja e 20-vjeçari nga Kosova që humbi jetën në Liqenin e Komanit

Po lahej me shokët në liqenin e Komanit, mbytet 20-vjeçari nga Kosova
27/08/2026 - 13:57

Ledri Duraku, 20-vjeçari nga Kosova, ka humbur jetën tragjikisht pasi dyshohet se u mbyt në Liqenin e Komanit. I riu ishte në shoqërinë e disa miqve në momentin...

Më shumëDetails

Emrat ‘konfidencialë’ për president, Gashi duket nervoz me LDK-në dhe VV-në se po kërkohen “njerëz pa përvojë dhe të dështuar”

Me 28 dhjetor zgjedhjet, Gashi: U bëftë dita që Kosova kthehet kah e mira
27/08/2026 - 13:25

Përmes aludimeve, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka tingëlluar mjaft i indinjuar me emra–që nuk dihen–e përfolur për president në negociatat mes VV-së dhe LDK-së....

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Standarde të dyfishta në Doganë: Llugaliu hesht pse për të njëjtën shkelje njërin doganier e shkarkoi e tjetrin e ktheu në punë

    Standarde të dyfishta në Doganë: Llugaliu hesht pse për të njëjtën shkelje njërin doganier e shkarkoi e tjetrin e ktheu në punë

    442 Shpërndaje
    Shpërndaje 177 Tweet 111
  • Qeveria e Kosovës mban mbledhje elektronike, këto janë vendimet e marra

    133 Shpërndaje
    Shpërndaje 53 Tweet 33
  • Kurtit pyetet për ‘kandidaturën’ e Thaçit për President, kjo është përgjigja e tij

    124 Shpërndaje
    Shpërndaje 50 Tweet 31
  • Nasim Haradinaj me akuza ndaj Hysni Gucatit të OVL UÇK: U zu në hajni, e din ai, për t’u mbuluar thirri protestë

    111 Shpërndaje
    Shpërndaje 44 Tweet 28
  • “Ka keqpërdorur fondet”, Haradinaj akuzoi Gucatin, vjen reagimi i OVL-UÇK

    104 Shpërndaje
    Shpërndaje 42 Tweet 26

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë