Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 35 personave për sulmin në lagjen Jashari në mars të vitit 1998, nën dyshimin e veprës penale Krime lufte kundër popullsisë civile, nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së.
Gazeta Online Veriu.info ka siguruar aktakuzën e plotë, sipas së cilës sulmi në lagjen Jashari në Prekaz ishte planifikuar dhe ekzekutuar nga shteti serb përmes mekanizmave të saj.
Sipas aktakuzës gjatë periudhës së konfliktit të armatosur në Kosovë, në vitin 1998, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, përmes Shtabit Ndërsektorial kishte hartuar planin për ta sulmuar lagjen Jasharaj në fshatin Prekaz i Poshtëm. Shtabi Ndërsektorial përbehej nga përfaqësues të Departamentit të Sigurisë Publike dhe Departamentit të Sigurisë Shtetërore dhe udhëhiqej nga i pandehuri Jovica Stanišić, në cilësinë e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme dhe shefit të Departamentit të Sigurisë Shtetërore, ndërsa zëvendësi i tij ishte i pandehuri Vlastimir Đorđević, në cilësinë e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme dhe shefit të Departamentit të Sigurisë Publike.
Sipas PSRK-së për realizimin e këtij plani Shtabi Ndërsektorial, kishte bashkërenduar veprimet me Shtabin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për Kosovën me seli në Prishtinë të themeluar në vitin 1997, i cili gjatë operacionit në Prekaz të Poshtëm udhëhiqej nga i pandehuri Sreten Lukić, i cili ishte përgjegjës për koordinimin dhe bashkërendimin operacional të Njësisë për Operacione Speciale, Njësisë Speciale Antiterroriste dhe Njësisë
se Posaçme Policore, për miratimin e përdorimit të llojit të armatimit dhe mjeteve luftarake, dhënien e urdhrave, pranimin dhe dhënien e raporteve dhe mbikëqyrjen e realizimit të operacionit.
Në zbatim të planit të hartuar dhe koordinuar nga këto dy shtabe, ishte përcaktuar që në sulmin ndaj lagjes Jasharaj të angazhoheshin Njësitë Speciale Antiterroriste dhe Njësitë e Posaçme Policore, të cilat vepronin në kuadër të Departamentit për Siguri Publike si dhe Njësia për Operacione Speciale, e cila vepronte në kuadër të Departamentit për Siguri Shtetërore, të cilat njësi kishin vepruar sipas planifikimit dhe organizimit të Shtabit Ndërsektorial 3, në mënyrën si në vijim:
Në zbatim të planit, nga fillimi i muajit janar të vitit 1998 e deri në përfundim të sulmit të armatosur pas datës 7 mars 1998, lagjja Jasharaj në fshatin Prekaz i Poshtëm ishte nën vëzhgim dhe kontroll të vazhdueshëm nga Njësia
për Operacione Speciale, e udhëhequr nga komandanti i saj, i pandehuri Milorad Ulemek i njohur me nofkën “Legia”, i cili gjatë kësaj periudhe ishte i pranishëm në fshatin Prekaz i Poshtëm dhe drejtonte veprimet e njësisë së tij. Njëkohësisht, në vëzhgimin dhe përgatitjen e operacionit kishte marrë pjesë edhe Njësia e Posaçme e Policisë, përkatësisht Kompania e Mitrovicës, e udhëhequr nga komandanti i saj, i pandehuri Čedomir Božović, i cili gjithashtu ishte i pranishëm gjatë gjithë periudhës se vëzhgimit dhe përgatitjes se operacionit në fshatin Prekaz i Poshtëm. Këto njësi ishin të vendosura brenda kompleksit të Fabrikës se Municionit në Skenderaj, në një objekt të njohur si “Villa”, nga ku ushtronin vëzhgimin e vazhdueshëm të lagjes Jasharaj, si fizikisht ashtu edhe përmes kamerave të vendosura në një rezervuar uji të Fabrikës së Municionit, në një lartësi rreth 50 metra, të cilat regjistronin lagjen 24 orë në ditë, 7 ditë të javës, duke mundësuar kontrollimin dhe monitorimin e çdo lëvizje të banorëve të lagjes.

Sipas aktakuzës së PSRK-së pas një periudhe të gjatë të vëzhgimit dhe mbledhjes sistematike të te dhënave, në zbatim të planit operacional, me 3 mars të vitit 1998, në kompleksin e Fabrikës së Municionit në Skenderaj, ku ishin të dislokuara njësitë përkatëse policore, kishte filluar përforcimi i kapaciteteve njerëzore të njësive policore për realizimin e sulmit të planifikuar. Më këtë rast, ishte shtuar numri i pjesëtarëve të njësive të angazhuara, si dhe ishin dislokuar mjete dhe armatim i rëndë luftarak, përfshirë automjete të blinduara të pajisura me mitraloz të tipit “Browning”, “HBG” dhe “DSHK”, tanke ushtarake, minahedhës, armë kundërajrore dhe mjete të tjera luftarake. Ky proces i përforcimit kishte vazhduar edhe gjatë mbrëmjes se datës 4 mars 1998, kur në Fabrikën e Municionit ishin sjellë mjete shtesë luftarake të destinuara për realizimin e sulmit, përfshirë autoblinda, praga, mjete luftarake tre tytëshe të kalibrit 20mm, dy tytëshe të kalibrit 20mm, automjete të blinduara të pajisura me mitraloz të kalibrit 12.6mm, minahedhës të kalibrave 60 deri në 106mm, armë kundërajrore si dhe dy tanke ushtarake, të transportuara nga Mitrovica./Veriu.info/















