Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 35 personave për sulmin në lagjen Jashari në mars të vitit 1998, nën dyshimin e veprës penale Krime lufte kundër popullsisë civile, nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së.
Gazeta Online Veriu.info ka siguruar aktakuzën e plotë, sipas së cilës sulmi në lagjen Jashari në Prekaz ishte planifikuar dhe ekzekutuar nga shteti serb përmes mekanizmave të saj.
Sipas aktakuzës përveç vrasjes së civiliëve forcat policore serbe morën peng shumë civilë në lagjen Jashari.
Në shtëpinë e Sefer Jasharit morën peng në mes të shumë të tjerëve edhe një foshnje 2 muajshe, bëhet fjalë për Miftar Jasharin, pastaj Elfie Jashari, 4 vjeçare, Gentiana Jashari, 5 vjeçare, Alban Jashari, 6 vjeçar, Besarta (B) Jashari, 6 vjeçare, Fatmire Jashari, 8 vjeçare, Valmire Jashari, 10 vjeçare, Xhemile Jashari, 12 vjeçare, Valentina Jashari, 17 vjeçare, Zoja Jashari, Fidaije Jashari, Sela Jashari, Ganimete Jashari, Violeta Jashari, Feride Jashari dhe Elfije Jashari,të cilët ishin persona civilë dhe nuk merrnin pjesë drejtpërdrejt në konflikt të armatosur.
Pas kapjes se tyre, të njëjtit nën trysninë e vrasjes dhe torturës, ishin dërguar në oborrin e Fabrikës së Municionit në Skenderaj, ku gjatë mbajtjes peng iu kishin nënshtruar torturës, keqtrajtimit fizik dhe psikik, trajtimit mizorë, çnjerëzorë dhe poshtërues. Gjatë kësaj kohe ata janë privuar nga ushqimi dhe uji, janë ekspozuar ndaj temperaturave të ulëta dhe janë kërcënuan vazhdimisht me vrasje deri në orët e mbrëmjes se asaj dite.















