Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, ka kritikuar mungesën e gomave dimërore për veturat e Policisë së Kosovës, duke e cilësuar të papranueshme që një institucion që kërkon nga qytetarët respektimin e ligjit, të mos i ketë kushtet e nevojshme për kryerjen e detyrave të veta.
Duke folur në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Ibishi ka thënë se Policia duhet të jetë e përgatitur për sezonin dimëror para se t’u kërkojë qytetarëve zbatimin e rregullave për pajisjen e automjeteve. Ai ka vlerësuar se deklaratat për ekzistimin e rezervave nuk janë të qëndrueshme, pasi furnizimi me pajisjet e nevojshme duhet të planifikohet me kohë.
Ibishi ka theksuar se mungesa e kushteve të nevojshme e vë Policinë në kundërshtim me kërkesat që ua drejton qytetarëve, ndërsa ka bërë thirrje për bashkëpunim institucional në mënyrë që të shmangen mungesa të tilla, të cilat mund të ndikojnë në funksionimin, mbrojtjen dhe reagimin e Policisë në raste nevoje.












