Ditë më parë Veriu.info ka raportua për ndëprerjen e punimeve në një objekt banesor në rrugën “Nexhip Dragaj” në Mitrovicë për shkak se kompania ndërtimore “Ari Company” nuk kishte marrë leje nga komuna.
Një veprim i tillë nga komuna e Mitrovicës u ndërmor vetëm pasi Gazeta Online Veriu.info dërgoi pyetje në adresë të drejtorit të Urbanizmit, Edison Tërnava.
Por edhe pas vendosjes së shiritave nga inspektorët komunalë, “Ari Company” ka larguar shiritat dhe ka vazhduar punën.
Kjo duket të ketë aktivizuar inspektorët e ndërtimit të cilët e kanë dënuar kompaninë dhe i kanë dorëzuar kallëzim penal.
Këtë e ka konfirmuar për Veriu.info inspektori i ndërtimit, Vehbi Ahmeti, i cili ka thënë se kompania është dënuar me gjobë 500 euro dhe i është dorëzuar kallëzim penal.
“Kompania është dënuar me gjobë 500 dhe ka marrë kallëzim penal, si dhe vendpunishtja është rrethuar sërish me shirita. Kompanisë i është dhënë afat prej 15 ditësh për pajisje me leje apo largim të pjesëve ndërtuese, pëndryshe do t’i largojmë” – tha Ahmeti për Veriu.info.













