Prokuroria Themelore në Gjilan ka dhënë detaje lidhur me vrasjen e rëndë që ka ndodhur të dielën në fshatin Pogragjë, ku një 53-vjeçar dyshohet se ka privuar nga jeta djalin e tij 29-vjeçar.
Sipas njoftimit të prokurorisë, rasti ka ndodhur më 11 tetor, rreth orës 19:20, ndërsa motivi i vrasjes ende nuk dihet.
I dyshuari R.A., pas kryerjes së veprës penale, është larguar nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht gjendet në arrati.
“I dyshuari dhe viktima, nuk kanë të kaluar kriminale dhe nuk kanë pasur ndonjë rast të raportuar për dhunë në familje”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë :
Vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 i kodit penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se me datën 11.10.2026, rreth orës 19:20 nga Policia e Kosovës-NJHP në Gjilan është njoftuar prokurori i shtetit, se në fshatin Pogragjë, Komuna e Gjilanit, ka ndodhur një rast i rëndë, nën dyshimin se i dyshuari R.A (53 vjeç) nga fshati Pogragjë, Komuna e Gjilanit, për motive akoma të pa njohura, me armë ka privuar nga jeta djalin e tij, tani të ndjerin B.A (29 vjeç).
Në vendin e ngjarjes kanë marrë pjesë të gjitha ekipet relevante policore si dhe prokurori i shtetit, ku janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, me qëllim të zbardhjes së rastit. Gjithashtu, është kryer kontrolli i shtëpisë së të dyshuarit R.A, ku gjatë kontrollit dhe ekzaminimit të vendit të ngjarjes janë sekuestruar 3 (tri) pushkë gjuetie me leje – afat të skaduar.
I dyshuari, pas kryerjes së veprës penale është larguar nga vendi ngjarjes dhe i njëjti gjendet në arrati.
Prokurori i shtetit, ka lëshuar urdhëresën për autopsi të trupit të pajetë të viktimës.
I dyshuari dhe viktima, nuk kanë të kaluar kriminale dhe nuk kanë pasur ndonjë rast të raportuar për Dhunë në Familje.
Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim me Policinë e Kosovës, ka ndërmarrë dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore, me qëllim të ndriçimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike.














