Pas zgjedhjeve, Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar, ndërsa përplasjet politike mes LVV-së dhe partive opozitare po e mbajnë të bllokuar institucionin.
PDK-ja dhe AAK-ja kanë refuzuar bashkëpunimin me LVV-në për formimin e institucioneve, ndërsa LDK-ja ka kundërshtuar një marrëveshje për Qeverinë, por ka lënë të hapur mundësinë për zgjedhjen e presidentit.
Ngërçi politik po vazhdon, ndërsa palët nuk kanë arritur marrëveshje për tejkalimin e situatës.
Njohësit e çështjeve kushtetuese vlerësojnë se tashmë janë tejkaluar të gjitha afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, ndërsa partia fituese, po shkel dispozitat ligjore dhe kushtetuese me zvarritjen e procesit.
Njohësi i çështjeve Kushtetuese, Mazllum Baraliu u shpreh për “Front Online” se pas certifikimit të rezultateve, seanca konstituive e Kuvendit është dashur të thirret dhe të përfundojë brenda afateve të përcaktuara.
Baraliu ka thënë se seanca është dashur të thirret çdo 48 orë deri në përfundimin e saj, duke e cilësuar situatën aktuale si shkelje.
“Është dashur që çdo 48 orë me thirr seancë dhe me përfunduar kjo. Shkelje ka dhe kjo nuk është hera e parë, se krejt kjo klasë politike është e papërgjegjshme dhe po bëjnë shkelje”, ka thënë Baraliu.
Sipas tij, një nga arsyet e mundshme për mosthirrjen e seancës mund të jetë përpjekja për arritjen e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit.
“Arsyeja e mos thirrjes se seancës është për gjetjen e një marrëveshje për president nëse ka qëllim për shtyrje të afateve për të caktuar sa më vonë pastaj zgjedhje edhe kjo është një mundësi varet prej qëllimeve që kanë”, tha Baraliu.













