Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha, në një intervistë për Gazeta Blic, ka folur për takimin e 14 shtatorit në mes të Kurtit e Vuçiq.
Ai thotë se në këtë takim pritet që të zbatohen marrëveshja e Brukselit dhe e Ohrit dhe që të ecet tutja, e po ashtu që të hiqen masat ndaj Kosovës, që sipas tij janë të paarsyeshme.
“Dialogu po rikthehet dhe ajo që pritet për Kosovën është që marrëveshja e Brukselit dhe ajo e Ohrit të zbatohen sepse ka qenë pala serbe që i ka shkelur shumicën e marrëveshjeve dhe kjo pritet që të diskutohet me 14 shtator dhe presim të ecim tutje, por ne nuk presim që pala serbe të zbutet në qëndrime, pasi i dimë qëndrimet e tyre por presim që të balancohet edhe kjo pjesa e keqkuptimeve, të masave që janë marrë ndaj Kosovës por asnjë ndaj Serbisë. Po ashtu, presim që të hiqen këto masa ndaj Kosovës sepse nuk ka asnjë arsye që të vazhdojnë këto masa dhe pala destruktive dihet që është Serbia dhe presim që BE-ja ta ndryshojë qëndrimin e saj”, thotë ai.
“Nëse shkojmë me këtë qasje që vazhdimisht të bëhen kërkesa të reja duke shtyrë procese e procese, pasi atëherë edhe dialogu bëhet joserioz. Pra edhe masat e humbin kuptimin, përderisa janë marrë për deeskalim, ne vazhdojmë të marrim kërkesa të vazhdueshme për t’i hequr ato. Masat janë të paarsyeshme, Kosova po e bën pjesën e saj të dakordimit në Bratislavë dhe Serbia duhet ta bëjë pjesën e saj, pasi zgjedhjet duhet të mbahen për shkak të Serbisë. Pala kosovare në aspektin politik e tregon vullnetin politik për zgjedhjet në veri, por për peticionin janë në vullnet të qytetarëve se a duan zgjedhje apo jo”, potencon Batusha për Gazeta Blic.













