
Gjatë kësaj jave pritet të mbahet takimi ndërmjet presidentes së vendit, Vjosa Osmani dhe liderëve të partive politike, ku do të diskutohet për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare.
Lidhur me këtë çështje në një prononcim për GazetaBlic, u deklarua deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Hisen Berisha. Ai tha se ftesa e ppresidentës Osmani për takim me liderët e partive politike duhet parësi një hap drejt dialogut politik dhe reformës zgjedhore.
“Ftesa e Presidentes Osmani për një takim për zgjedhje duhet të kushtëzohet paraprakisht me reformën e sistemit zgjedhor. Me sistemin zgjedhor aktual, vetëm sa do të gjenerojmë kriza qeverisëse të reja dhe të përsëritura. Reforma e sistemit zgjedhor është thelbësore për të siguruar stabilitetin politik dhe për të parandaluar mosmarrëveshjet që shpesh çojnë në bllokada institucionale. Vetëm përmes një reforme të mirëfilltë të sistemit zgjedhor, që garanton përfaqësim të drejtë dhe efikasitet qeverisës, mund të arrihet një zgjedhje e qëndrueshme dhe të shmangen krizat e ardhshme qeveritare. Pra, dialogu mes partive politike duhet të përqendrohet jo vetëm në mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por edhe në krijimin e një sistemi zgjedhor që i shërben interesave të qytetarëve dhe stabilitetit afatgjatë të Kosovës”, tha ai.
Berisha për shpërndajen e Kuvendit thotë se kërkohet një shqyrtim i kujdesshëm, pasi sipas tij, kjo është një çështje delikate.
Sa i përket shpërndarjes së Kuvendit, kjo është një çështje delikate që kërkon shqyrtim të kujdesshëm. Lidershipi politik në Kosovë nuk guxon të bien në lajthitje apo të shantazhohet e të bëhet kartë e kalkulimeve politike mashtruese të tandemit Kurti-Osmani. Tani më nuk mund të flitet për marrëveshje për zgjedhje të parakohshme përmes rrugëve të tjera ligjore dhe politike, kështu që shpërndarja e Kuvendit duhet të sigurojë mbajtjen e zgjedhjeve dhe të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve. Megjithatë, ky veprim duhet të jetë i fundit dhe të përdoret vetëm në rast se të gjitha mundësitë e tjera janë ezauruar”, përfundoi deputeti nga PDK-ja Hisen Berisha.










