Biznesmeni Irfan Hysenbelliu, pronar i televizionit News 24, po hetohet nga Prokuroria e Tiranës si i dyshuar për veprën penale të pastrimit të parave, të cilat mund të jenë produkt i evazionit fiskal, mashtrimit me taksa apo aktiviteteve të tjera të paligjshme. Hysenbelliu, me disa dosje penale për evazion fiskal dhe skema mashtrimi, përfitues i pasurive publike duke i shndërruar në biznese private, madje duke mos paguar as qiranë simbolike, dyshohet për një skemë pastrimi parash përmes kontratave fiktive për shit-blerje pasurish.
Në 8 qershor 2026, djali i Fanes, Fatmir Hysenbelliu, ka blerë 15 mijë m2 pyll në Qerret, me prioritet për ndërtim, për 500 mijë euro. Pronën e ka blerë tek kompania PANDA GROUP shpk, me pronar Andrea Nako, i cili më herët ka qenë ortak me Hysenbelliun tek Panorama TV. Një muaj para blerjes së tokës, Farmir Hysenbelliu ka marrë një hua 1 milionë euro tek kompania FAP Group S.r.l., dyshohet formalisht dhe në funksion të pastrimit të parave.
Katër ditë më pas, në 12 qershor 2026, Farmir Hysenbelliu e shiti tokën në Qerret për 3.3 milionë euro. Vlera e pasurisë është rritur brenda katër ditëve me gati 7 herë. Me 500 mijë euro që mori hua, Irfani dyshohet se pastroi 2.8 milionë euro me një lëvizje brenda katër ditëve. Skema është sa banale aq edhe sfiduese për Prokurorinë e Tiranës, ndaj të cilës mësohet se kanë nisur sërisht ndërhyrjet dhe presionet për ta çuar këtë dosje në ‘kalendat greke’ si çështjet e tjera.
Tokën që çuni i Fanes bleu për 500 mijë euro e ka blerë pas katër ditësh për 3.3 milionë euro kompania GRAND BLUE FAFA RESORT, me nipt M01505047A. Themelues dhe pronar i kompanisë është sipërmarrësi i njohur Fatos Çerenishti. Në kohën kur GRAND BLUE FAFA RESORT i ka blerë Fanes pronën 3.3 milionë euro katër ditës pasi Fania e kishte blerë 500 mijë euro, kapitali i kompanisë nuk ishte as 2 milionë euro.
Ndërkaq, pas shitjes së dyshuar fiktive, kompania e Fatos Çerenishti ka kaluar shuma parash drejt llogarive bankare të fëmijëve dhe kompanive të Irfan Hysenbelliut, përmes noteres Anila Kaçupi, tek e cila Fania vulos edhe dallavere të tjera financiare. Më tej, çuni i Fanes i ka kaluar vetë Fanes 200 mijë euro në llogari gjoja si hua. Paratë kanë kaluar sa në një llogari në një tjetër, duke u devijuar dhe humbur nëpër degëzime sipas halleve të Fanes.
Në vend që të paguajë mbi 6 milionë euro taksa si të gjithë shqiptarët që kontribuojnë në buxhetin e shtetit, Fania u hyn skemave të evazionit fiskal, pastrimit të parave, mashtrimit, dhe krijimit të pasurive të paligjshme, pasuar me ndërhyrje dhe presione ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve për të mbyllur dosjet, duke përdorur kryesisht median e tij. Dhe kur prishet në pazare me pushtetin e radhës, ku i heqin privilegjet, i prishin ndërtimet pa leje, i kërkojnë të paguajë taksa dhe të lirojë godinat publike që ka marrë si qoka, Fania bërtet se po cënohet liria e medias së tij!
Sekustrimi i makinave
Pas shembjes së Prestige Resort, dëbimit të News 24 nga godina shtetërore në Shkozë dhe bllokimit të llogariave bankare të Birra Korçës, Rama ka vijuar ndëshkimin ndaj Fanes teksa duket se ka lejuar të vetët që të zbatojnë kuadrin ligjor për të mbledhur detyrimet tatimore të papaguara nga Irfan Hysenbelliu. Bëhet fjalë për 6.4 milionë euro detyrime të papaguara. Disa muaj më parë, Tatimet i sekustruan Fatmir Hysenbelliu, disa ditë më parë 8 makina luksoze në kuadër të mbledhjes së deryrimeve tatimore. Mes automjeteve të sekuestruara nga Tatimet janë marka të njohura botërore si McLaren, Mercedes-Benz dhe BMW, të përdorura nga Fatmir Hysenbelliu.














