Nënkryetarja e PDK’së, Vlora Çitaku, një muaj pas aktgjykimit dënues të shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të UÇK’së, tha se tashmë janë bërë hapa konkretë për të mbështetur ata në mbrojtjen në Apel.
Ajo tha se këto përgjegjësi duhet çuar në fund, derisa shtoi se “çlirimtarët nuk do t’i lëmë vetëm”.
“Tashmë kemi hapa konkretë për mbështetjen e mbrojtjes së tyre në apel, me synimin për ta rrëzuar këtë aktgjykim, si dhe nisma për mbrojtjen e UÇK-së dhe të çlirimtarëve. Këto janë përgjegjësi që duhet t’i çojmë deri në fund, me seriozitet, përkushtim dhe të gjitha kapacitetet tona shtetërore”.
Postimi i plotë:
Sot bëhet një muaj nga aktgjykimi i padrejtë i Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Një muaj i rëndë për ta, për familjet e tyre dhe për të gjithë ne që besojmë në drejtësinë e luftës sonë për liri.
Për 21 ditë me radhë, qytetarët ngritën zërin kundër kësaj padrejtësie. Në sheshe na bashkoi bindja se njerëzit që i qëndruan Kosovës në ditët e saj më të vështira meritojnë që Kosova t’u qëndrojë pranë sot.
Ajo që u projektua si goditje ndaj UÇK-së, e riktheu atë në qendër të vetëdijes sonë kombëtare, si vlerë të pakontestueshme që e bashkon Kosovën.
Tashmë kemi hapa konkretë për mbështetjen e mbrojtjes së tyre në apel, me synimin për ta rrëzuar këtë aktgjykim, si dhe nisma për mbrojtjen e UÇK-së dhe të çlirimtarëve. Këto janë përgjegjësi që duhet t’i çojmë deri në fund, me seriozitet, përkushtim dhe të gjitha kapacitetet tona shtetërore.
Nëse dikush ende nuk e ka kuptuar, qëndrimi ynë është kristal i qartë: çlirimtarët tanë nuk do t’i lëmë vetëm. Në asnjë ditë. Në asnjë betejë.
Do të jemi pranë tyre, deri në kthimin e tyre të lirë mes nesh – në Atdhe!















