
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar pas takimit të sotëm në Bruksel, i cili rezultoi me marrëveshje në njërën pikë, atë të Deklaratës për të Zhdukurit.
Pika që prodhoi të paktën diçka konkrete ishte ajo për Asociacionin. Shefi i ekzekutivit kosovar pranoi faktin se ka refuzuar propozimin e vënë në tavolinë nga ekipi që kishte përgjegjësinë.
Siç tha Kurti para gazetarëve, ekipi menaxhues prezantoi një draft-statut me 97 nene, e me të njëjtin që thuhet të ketë qenë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Draft-vizioni
Menjëherë pas kësaj, i pari i qeverisë pohoi se vet ai ka prezantuar një draft të Asociacionit, që e ka quajtur draft-vizion.
Kryeministri, vlerësoi se ky draft tregon kornizën që rregullon të drejtat e pakicave sipas të drejtave evropiane.
Në fund fare, ai shtoi se ndërmjetësve tashmë ua ka dorëzuar një dokument.
“Në këtë takim të sotëm pas marrëveshjes për të pagjeturit e dëgjuam me vëmendje ekipin menaxhues që prezantoi një draft statut me gjithsej 97 nene, që një draft statut i tillë është fundamentalisht i papajtueshëm me ligjshmërinë, kushtetutshmërinë, të drejtat e pakicave sipas standardeve evropiane, por përkundër kësaj jemi të interesuar të gjejmë zgjidhje.
Unë propozova një draft vizion që tregon kornizën që rregullon të drejtat e pakicave sipas të drejtave evropiane. Besoj se do të merret parasysh nga Borrell dhe Lajcak. Serbët do të kenë të drejta dhe bashkërisht do të kemi shoqëri që nuk lë askë prapa. Me këtë rast, theksoj se dorëzova tek ndërmjetësit një dokument”, tha ndër tjerash ai.











