A është më në fund momenti i shumëpritur? Pas thashethemeve të javës së kaluar që nuk u konfirmuan, tashmë të gjitha sinjalet tregojnë se Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodriguez mund t’i japin fund beqarisë këtë të shtunë në Madeira.
Ylli portugez dhe partnerja e tij prej 10 vitesh raportohet se kanë zgjedhur ishullin e lindjes së Ronaldos si vendin ku do të zhvillohet ceremonia martesore. Sipas mediave ndërkombëtare, çifti pritet të kurorëzojë dashurinë në Katedralen e Funchalit, ndërsa ceremonia thuhet se është planifikuar për pasditen e së shtunës, transmeton Klankosova.tv.
Sipas raportimeve lokale të cituara nga gazeta britanike “The Sun”, katedralja është rezervuar për një dasmë të madhe, ndërsa ceremonitë martesore aty zakonisht zhvillohen rreth orës 15:00.
Edhe pritja e dasmës thuhet se do të organizohet në një prej hoteleve më luksoze të Madeirës, Savoy Palace, i cili ndodhet pranë katedrales. Një burim ka deklaruar se mysafirët e hotelit janë njoftuar se dy kate do të jenë jashtë përdorimit gjatë së premtes dhe së shtunës, ndërsa disa ambiente të tjera të hotelit do të mbyllen për këtë event privat.
Cristiano Ronaldo, 41 vjeç, dhe Georgina Rodriguez, 32 vjeç, u njohën në vitin 2016 dhe u fejuan në gushtin e vitit të kaluar. Data e martesës ka mbetur e fshehtë deri më tani, ndërsa kapiteni i Portugalisë kishte zbuluar vetëm se ceremonia do të zhvillohej pas përfundimit të Kupës së Botës.
Pas eliminimit të Portugalisë në fazat e hershme të turneut, nisën të shtoheshin zërat për një martesë të afërt. Fundjava e 1 dhe 2 gushtit ishte përfolur si data më e mundshme, për shkak se Ronaldo duhet të rikthehet në Arabinë Saudite për sezonin e ri me Al-Nassr më 15 gusht.
Megjithatë, javën e kaluar çifti u fotografua duke pushuar në Mallorca së bashku me fëmijët e tyre, duke bërë që thashethemet për një martesë të menjëhershme të zbeheshin.
Tashmë, raportimet e reja sugjerojnë se dita e madhe mund të jetë vetëm pak ditë larg.












