
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, derisa veçoi kërcënimet e vazhdueshme ndaj sigurisë që vijnë nga Serbia, paralajmëroi për mundësinë e përshkallëzimit të tensioneve dhe përfshirjen e dy vendeve në një konflikt, ndonëse shtoi se gjasat e një lufte konvencionale të armatosur janë të ulëta për shkak të pranisë së Forcës së NATO-s (KFOR) në Kosovë.
Duke komentuar për platformën ukrainase të lajmeve “European Pravda” mbi ngjarjet e fundit në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, posaçërisht rreth sulmit të armatosur të paramilitarëve serbë në fashtin Banjë të Zveçanit vitin e kaluar që acaroi më tej marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, paralajmëroi: “Ne duhet të jemi gati për luftë”.
“Ne duhet të jemi gati për luftë. Po, një luftë konvencionale është e pamundur tani sepse ne jemi të mbrojtur nga paqeruajtësit e KFOR-it. Megjithatë, ashtu siç tregoi shembulli i Banjskës, një sulm hibrid gjithmonë mund të fillohet kundër nesh – dhe ne duhet të jemi të përgatitur që kjo të ndodhë përsëri në çdo kohë”, deklaroi zëvendëskryeministri kosovar.
Bislimi shtoi mes tjerash se ekzistojnë edhe arsye për të besuar se Rusia u përfshi drejtpërdrejt në terrorizmin e 24 shtatorit: “Në jug të Serbisë, në qytetin e Nishit, i cili nuk është shumë larg kufirit, ekziston e ashtuquajtura qendra humanitare ruse e cila zyrtarisht është e angazhuar në sigurinë nga zjarri, por askush nuk ka parë ndonjë rezultat të punës së saj”.
Ai komentoi edhe çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke e cilësuar “mjet të rrezikshëm” në duart e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, posaçërisht në kontekstin e marrëdhënieve aktuale midis Prishtinës dhe Beogradit, ndërsa shtoi se Asocociacioni i Komunave me Shumicë Serbe s’do të përbënte problem nëse Serbia e njeh Kosovën.
“Por ne shohim që pakica serbe shpesh nuk i shfrytëzon të drejtat ekzistuese. Përkundrazi, ato janë një mjet në duart e Vuçiçit për të minuar njohjen ndërkombëtare të Kosovës. Në këtë situatë, ideja për t’i dorëzuar atij një mjet tjetër të fuqishëm duket e rrezikshme”, nënvizoi ndër të tjera ai.
Sëkëndejmi, perspektiva e rrëshqitjes drejt skajeve të krizës nuk mund të izolohet; derisa krijohen kushte të favorshme për lojtarët lokalë serbë të lidhur me interesat ruse që të zgjerojnë hijen kërcënuese dhe të provokojnë konflikte rajonale nën mbështetjen e heshtur të Rusisë, rreziku i përshkallëzimit të dhunës rri i varur mbi mbarë Ballkanin Perëndimor.












