
Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka përshëndetur marrëveshjen e arritur mes kryeministrit dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, që me emrin e Bekim Sejdiut të procedohet si kandidat për President të Republikës së Kosovës.
Berisha ka shkuar madje një hap më tej. Ndonëse Sejdiu ende nuk është votuar nga Kuvendi, lideri i opozitës shqiptare e ka titulluar reagimin e tij: “Zoti Bekim Sejdiu, President i Kosovës.”
Në reagimin e publikuar, Berisha thotë se Kurti dhe Abdixhiku kanë firmosur marrëveshjen për kandidaturën e Sejdiut, të cilin e ka vlerësuar lart për formimin dhe përvojën e tij profesionale.
Ai e ka përshkruar Sejdiun si “një personalitet të shquar të Kosovës në fushën e jurisprudencës kushtetuese”, duke përmendur angazhimin e tij si ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese, si dhe përvojën në diplomaci si ish-ambasador i Republikës së Kosovës.
Berisha i ka drejtuar Sejdiut edhe urime për detyrën e Presidentit, megjithëse procedura kushtetuese për zgjedhjen e kreut të shtetit ende nuk ka përfunduar.
“Në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, i dërgoj urimet më të përzemërta zotit Bekim Sejdiu për postin e lartë të Presidentit të Kosovës”, ka shkruar Berisha.
Ai i ka uruar Sejdiut suksese dhe mbarësi, duke vënë theks të veçantë në integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe në forcimin e kontributit të vendit për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal.
Por Berisha nuk është ndalur vetëm te Sejdiu.
Ai ka përgëzuar veçmas Albin Kurtin dhe Lumir Abdixhikun për arritjen e marrëveshjes, duke e cilësuar dakordimin e tyre për kandidaturën si një zgjedhje dinjitoze.
“Gjithashtu, me këtë rast uroj përzemërsisht Kryeministrin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosja, dhe kryetarin e LDK-së, z. Abdixhiku, për marrëveshjen e arritur dhe për përzgjedhjen e tyre dinjitoze në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka shkruar ai.
Megjithatë, Bekim Sejdiu ende nuk është President i zgjedhur i Kosovës. Dakordimi politik mes Kurtit dhe Abdixhikut lidhet me kandidaturën me të cilën do të procedohet, ndërsa fjalën përfundimtare për zgjedhjen e Presidentit e ka Kuvendi i Kosovës përmes procedurës kushtetuese.
Pikërisht për këtë arsye bie në sy formulimi i Berishës, i cili, ende pa u zhvilluar votimi në Kuvend, e ka prezantuar dhe uruar Sejdiun si President të Kosovës.
The












