Triumfi historik i Spanjës në Kupën e Botës e ka bindur Federatën Spanjolle të Futbollit që ta sigurojë vazhdimësinë e projektit të Luis de la Fuentes.
Pas suksesit të madh në SHBA, Kanada dhe Meksikë, drejtuesit e federatës janë gati t’i ofrojnë trajnerit një kontratë të re afatgjatë, që do ta mbante në krye të kombëtares deri në përfundim të Botërorit 2030, shkruajnë mediat spanjolle, përcjell “Gazeta Express”.
Federata Spanjolle e konsideron De la Fuenten arkitektin kryesor të rikthimit të Spanjës në majën e futbollit botëror dhe dëshiron ta shmangë çdo dyshim për të ardhmen e tij.
Trajneri 64-vjeçar e ka fituar besimin e plotë të drejtuesve falë mënyrës se si e ka ndërtuar skuadrën, duke i kombinuar futbollistët me përvojë me një brez të ri talentesh si Lamine Yamal, Nico Williams, Pau Cubarsí dhe të tjerë, të cilët ishin protagonistë në rrugëtimin drejt titullit botëror.
Pas finales së fituar ndaj Argjentinës, në Federatën Spanjolle ekziston bindja se ky grup mund ta dominojë futbollin ndërkombëtar edhe në vitet e ardhshme.
Për këtë arsye, vazhdimi i kontratës së De la Fuentes është kthyer në prioritet absolut.
Aktualisht, kontrata e trajnerit është e vlefshme deri pas Kampionatit Evropian 2028, por ideja e Federatës është t’ia zgjasë marrëveshjen deri në fund të Kupës së Botës 2030, e cila do të zhvillohet në Spanjë, Portugali dhe Marok.
Nëse palët arrijnë marrëveshje, Luis de la Fuente do ta ketë mundësinë ta udhëheqë Spanjën edhe në Botërorin e vitit 2030, ku “La Roja” do të synojë ta mbrojë titullin e fituar në vitin 2026 dhe ta shkruajë një tjetër kapitull historik në futbollin botëror.













