Çështja e hapjes ose jo të urës së Ibrit vazhdon të jetë ndër temat më aktuale në vend.
Qeveria dhe ndërkombëtarët janë në kundërshtim, derisa këta të fundit po vlerësojnë se nuk është koha e duhur për hapjen e saj, e Qeveria po insiston që duhet të hapet tani.
Për këtë çështje u deklaruan dhe mbrëmjen e së hënës krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti.E para e shtetit tha se hapja e urës së Ibrit në Mitrovicë duhet të bëhet në bazë të një plani me partnerët ndërkombëtarë, derisa tha se është e rrezikshme që kjo çështje të diskutohet me presidentin serb Vuçiq në Bruksel.
Ndërsa, Kurti tha se ura e Ibrit duhej të ishte hapur që pas çlirimit të Kosovës, duke shtuar se vonesa për hapjen e saj është e pajustifikueshme.Sipas tij, vërejtjet e ndërkombëtarëve për këtë çështje po merren në konsideratë, por theksoi se hapja e urës është një nevojë urgjente.
Lidhur me këtë çështje, analisti politik Gazmir Raci, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se në raportin e progresit të BE-së për Kosovën shkruante se ajo mund të hapej por që ky qëndrim është ndryshuar.
“Në raportin e progresit të BE-së për Kosovën në vitin 2019 dhe 2020 për hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë, shkruhet se: “Kanë përfunduar punimet në urën e Mitrovicës dhe ura duhet të hapet për qarkullimin e automjeteve pa vonesa apo pengesa të mëtejshme”. Për fat të keq, ndërmjetësuesit evropianë sot kanë një qëndrim të ndryshëm për çështjen e urës së Ibrit nga sa kishin disa vite më parë”, thotë ai.
Sipas analistit, ka ardhur momenti i hapjes së urës dhe s’ka të bëjë me zgjedhje por për të vendosur rend dhe ligj në vend.“Në Bruksel ka mbi tri marrëveshje për hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe se tani është koha për hapjen e saj. Ka ardhur momenti dhe nuk besoj se ky moment ka të bëjë me zgjedhjet parlamentare që janë caktuar për 9 shkurt 2025 nga presidentja Osmani. Duket se kjo qeveri ka një qasje sistematike në adresimin e shumë sfidave që janë në kuadër të integrimit të pjesës veriore në sistemin e Republikës së Kosovës. Në fund të fundit, kjo qeveri është votuar për më shumë rend dhe ligj në këtë Republikë, dhe sigurisht do të thotë rend dhe ligj në të gjithë territorin e vendit pa dallim”, deklaron Gazmir Raci.
Ndërsa, analisti politik Arbnor Sadiku, thotë për Gazeta Blic se ura është mirë që të hapet në koordinim me SHBA-të.“Mirë do të ishte të hapet ura në veri të Kosovës, por, me koordinim me SHBA-të”, shprehet ai.
Sadiku thotë se deklaratat e politikanë për këtë çështje janë për çështje të fushatës elektorale.“Sa i përket deklaratave të tyre, ato janë deklarata pouliste për çështje të fushatës elektorale”, deklaron analisti Arbnor Sadiku.
Ndryshe, BE është deklaruar sërish rreth çështjes së urës së Ibrit, duke thënë se s’ka ndryshuar qëndrim dhe se presin që Qeveria e Kosovës t’i dëgjojë këshillat e aleatëve.













