Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu Hyseni, është munduar që t’i japë një goditje virtuale gazetarit Adriatik Kelmendi, pasi ky e kishte kritikuar kryeministrin Kurti për gabime drejtshkrimore, kur udhëheqësi i Qeverisë kishte kërkuar falje për gabimin e tij në një detyrë të matematikës.
“Adriatiku që mediumi i vet çertifikatën e Serbisë me emërtimin ‘Pec, Srbija’ e quante gabim teknik paska gjetur pak kurajo të merret me gabimin e KM Kurtit” – shkroi Kryeziu Hyseni në llogarinë e saj në rrjetin “Facebook”.
Deputetja e partisë në pushtet nuk arriti që të shkruante një fjali pa bërë disa gabime drejtshkrimore.
Në vend se të shkruante “certifikatën”, ajo shkroi “çertifikatën”.
Në vend se të shkruante “kurajë”, deputetja shkroi “kurajo”.
Pas një gabimi të Kurtit në një detyrë të matematikës, Kelmendi të mërkurën kishte shkruar: “A bën edhe një kërkimfalje për lëndën Gjuhë Shqipe, se me gabimet drejtshkrimore në këtë tekst, as aty s’do ta merrte notën kaluese?!”













