Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Dokument – Ekskluzive: Ekspertët ndërkombëtarë kanë gjetur formulën për themelimin e Asociacionit, ia jep Qeverisë arsyetimin dhe nuk bie ndesh me Kushtetutën

15/11/2022 - 08:11
në Kryesore, Lajme
A A
Dokument – Ekskluzive: Ekspertët ndërkombëtarë kanë gjetur formulën për themelimin e Asociacionit, ia jep Qeverisë arsyetimin dhe nuk bie ndesh me Kushtetutën
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është një obligim ligjor i pashmangshëm i Kosovës nga Marrëveshja e Parë e vitit 2013 dhe kërkesë e vazhdueshme e komunitetit ndërkombëtar, por ai nuk mund të themelohet siç thotë kryeministri, Albin Kurti, njëjtë siç është Asociacioni ekzistues i Komunave të Kosovës dhe as nuk mund të formohet si një Organizatë Joqeveritare, çfare e reklamonpresidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Albanian Post ka siguruar ekskluzivisht një dokument prej nëntë faqesh i quajtur “Koncept Këshillëdhënës (advisory note)”, i punuar nga ekspertë ndërkombëtarë të drejtësisë, ku shpjegohet në detaje, fillimisht përse ky Asociacion s’mund të themelohet barasvlershëm me format ekzistuese (aq më pak si OJQ) dhe më pas jepet një version se cila do të ishte rruga e duhur e themelimit.

Ekspertët madje përqeshin deklarimet e presidencës së Kosovës se Asociacioni i Komunave mund të jetë një OJQ, derisa tregojnë se Asociacioni ekzistues i Komunave të Kosovës jo që nuk shërben si shembull, por duhet të shpërbëhet krejtësisht sepse paraqet deformim legal.

Ata në dokument prezantojnë një formulë përmes të cilës edhe formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe edhe i bie që vetë Qeveria nuk e ka formuar këtë Asociacion, por Parlamenti.

Ideja është që të bëhet një ligj i ri, i cili aktualisht nuk ekziston në Kosovë, përmes të cilit do të bëhej e mundur që komunat të formojnë Asociacione për bashkëpunim dhe koordinim ndërkomunal.

Ligji do të vlente për të gjitha komunat njësojë, jo vetëm për ato me shumicë serbe. Krejt çka do të duhej për themelimin e Asociacionit do të ishte vullneti i një komune për t’u bërë pjesë e tij.

Këtë ligj do ta përdornin komunat me shumicë serbe për të ndërtuar Asociacionin e tyre. Të njëjtin do të mund ta përdornin edhe komuna të tjera, poqë se duan të përfshihen në një Asociacion.

Ligji i propozuar, në njëfarë forme, i ikë edhe një-etnicitetit të formimit të Asociacionit që është një nga vërejtjet kryesore të Gjykatës Kushtetuese, sepse parimisht ai nuk themelohet për një etni, por për të gjitha komunat.

E kuptueshme që komunat me shumicë serbe do ta përdorin elementin etnik për t’u bashkuar në një Asociacion, por nuk është se ligji e kërkon këtë kriter.

Përmes të njëjtit ligj do të mund të formonin Asociacione edhe komuna të tjera, thjesht do të duhej të udhëhiqnin me dy e më shumë komuna që të formojnë një Asociacion. Por, siç dihet, përveç komunitetit serb – falë decentralizimit – asnjë komunitet tjetër pakicë nuk udhëheqë me ndonjë komunë në Kosovë.

Faqja e pare e “Advisory Note”

Por çfarë thotë saktësisht “koncepti këshillëdhënës”, përse janë qesharake dhe deformime ligjore krahasimet me Asociacionin aktual të Komunave të Kosovës dhe formimin si OJQ?

Jo rrallë Albin Kurti kur pyetej për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, thoshte se Kosova ka Asociacion tashmë dhe është ai i Komunave të Kosovës.

Ekspertët ndërkombëtarë shprehin habinë se si ekipi ligjor i kryeministrit asnjëherë nuk i ka treguar për nonsensin juridik që përbën edhe ky krahasim edhe vetë Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK).

“Anash observimeve të bëra nga Gjykata Kushtetuese, autoritetet e Kosovës shpesh kanë theksuar se kapaciteti legal i Asociacionit duhet të jetë identik me atë ekzistuesin që është Asociacioni i Komunave të Kosovës, aktualisht i regjistruar dhe me veprim si Organizatë Joqeveritare. Ekipet ligjore që këshillojnë autoritetet e Kosovës do të duhej të vinin në pah figurën/strukturën e cunguar ligjore të Asociacionit të Komunave të Kosovës. Fatkeqësisht, Gjykata Kushtetuese gjithashtu ka dështuar për të theksuar këtë strukturë të cunguar ligjore të këtij Asociacioni aktual”, thuhet në hyrje të dokumentit.

Të metat legale të Asociacionit aktual të Komunave të Kosovës

Autoritetet e Kosovës, përfshirë presidenten, argumentojnë se ndërtimi ligjor i Asociacionit ekzistues të Komunave të Kosovës buron nga Ligji i Vetëqeverisjes Lokale.

Ky ligj, në nenin 31 të tij, thotë se “Për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të tyre të përbashkëta, komunat formojnë dhe marrin pjesë në asociacionet që funksionojnë, në pajtim me ligjin”.

Autoritetet e Kosovës thonë se “ligji” i referohet Ligjit Për Lirinë e Ascociimit në Organizata Joqeveritare, pasi që Asociacioni ekzistues i Komunave të Kosovës ekziston sipas dispozitave dhe procedurave të këtij ligji.

Por, shpjegojnë ekspertët, Autoritetet e Kosovës, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, kanë injoruar faktin se Ligji Për Lirinë e Ascociimit në Organizata Joqeveritareburon nga neni 44 i Kushtetutës.

Dhe pse ka rëndësi kjo?

Sepse, Neni 44 (Liria e Asociimit), nuk iu referohet komunave, por individëve.

“Duhet t’ua kujtojmë palëve se neni 44 i Kushtetutës i referohet Lirisë për Asociim si një nga të drejtat dhe liritë fondamentale të garantuara nga Kushtetuta e Kosovës. Është e drejtë fondamentale dhe liri e dhënë për individët dhe vetëm për individët. Pra, kjo reflektohet edhe në ligj gjithashtu”, shpjegojnë ekspertët.

“Me këtë ligj, Asociacionet janë të formuara nga qytetarët e lirë. Neni 16 i Ligjit Për Lirinë e Ascociimit në Organizata Joqeveritare thotë se “Shoqata është organizatë e anëtarësisë, e grupuar në bazë të vullnetit të lirë të personave me interes të përbashkët, për realizimin e qëllimeve të ligjshme për përfitim publik ose për interes të ndërsjellë” dhe pika tjetër, specifikon se “Shoqata themelohet nga tre (3) ose me shumë persona”.

Edhe Asociacioni aktual i Komunave të Kosovës është i themeluar pikërisht përmes kësaj vije ligjore.

Sipas të dhënave zyrtare, Asociacioni ekzistues i Komunave të Kosovës(Akronimi AKK, Asociacion OJQ, me numër regjistrimi 5101800-1) është një organizatë e themeluar jo nga komunat, por nga tre individë në kapacitetin e tyre si persona privatë.

Zotërinjtë Faruk Spahija, Lutfi Haziri dhe Sali Gashi, janë të listuar si themelues të AKK-së.

“Se si mundet që një organizatë e themeluar nga tre qytetarë privatë të përfaqësojë Komunat e Kosovës përbën një mister ligjor”, shprehet habia në dokumentin e ekspertëve, të cilin e ka siguruar Albanian Post.

Po ashtu, i njëjti ligj, Ligji Për Lirinë e Ascociimit në Organizata Joqeveritare, në Nenin 13, pika 1, thotë se “OJQ ushtron veprimtarinë e saj në mënyrë të pavarur nga institucionet publike”, në anën tjetër, definicioni juridik i një komune, i pranuar gjerësisht është: “Komuna është një nënndarje politike e një shteti brenda të cilit është krijuar një korporatë komunale për të siguruar qeverisjen e përgjithshme lokale, e përqendruar për një popullatë specifike dhe e përqendruar në një zonë të caktuar”.

Prandaj, thuhet në dokument “çdo ekspert ligjor/politik do të çuditej, sepse meqë komunat janë pjesë përbërëse e institucioneve të shtetit, si mundet që një organizim i themeluar prej tyre të jetë i pavarur nga shteti?”.

“Si një pjesë përbërëse e strukturës së përgjithshme qeverisëse, komunat nuk gëzojnë lirinë e asociimit e dhuruar për individët nga Kushtetuta. Çfarëdo nocioni që komunat mund të themelojnë OJQ që më pas të përfaqësohen përmes saj përbën një nonsens burtal ligjor”.

Hartuesit e dokumentit propozojnë që “Autoritetet e Kosovës duhet menjëherë të anulojnë regjistrimin e AKK-së, pasi që ekzistimi i AKK-së, si një OJQ, përbën shkelje flagrante të ligjit dhe tallje (hajgarllëk) me principet fondamentale demokratike të qeverisjes”.

Faqja e dyte e “Advisory Note”

Konceptimi i personalitetit/trupit juridik të organizatave të themeluara nga komunat

Ekspertët shpjegojnë se me Kushtetutën e Kosovës, Komunat kanë të drejtë të bashkëpunimit ndër-komunal përmes Nenit 124, pika 4. Madje është edhe Ligji për Bashkëpunim Ndër-komunal (Ligji Nr.04/L-010).

Por, problemi – siç sqarojnë ekspertët – është se ligj do të duhej të mbulonte të drejtën e komunave për asociim, siç theksohet në kapitullin V (5) të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, e që aktualisht nuk e bën.

Gjithsesi, shkruajnë ata, Kapitulli V (Bashkëpunimi ndërkomunal dhe aranzhmanet brenda komunale) nga Ligji i vitit 2008 për Vetëqeverisje Lokale e vë themelin për eksplorimin e kësaj të drejte.

Prandaj, meqë hapësira ekziston, ata kanë edhe një propozim si zgjidhje.

“Për nevojën kaq të madhe të përshtatshmërisë ligjore, rrugë ma e mirë është të draftohet një ligj i ri me emrin ‘Ligji për Bashkëpunim dhe Koordinim Ndërkomunmal’, që po ashtu mbulon të drejtën e komunave për t’u asociiuar, dhe efektivisht anulon Ligjin Nr.04/L-010”.

Meqë “bashkëpunimi” i referohet përpjekjes kolektive nga një grup për të arritur objektiva partikulare dhe “koordinim” i referohet një rregullimi të zakonshëm të përpjekjeve të një grupi për të siguruar unitet veprimi në ndjekjen e objektivave të përbashkëta, duke përfshirë këtu edhe objektiva partikulare, ofron një shtrirje më të gjerë.

“Neni 81 i Kushtetutës”, pohohet në dokument, “e rregullon se një ligj i tillë do të binte në legjislacionin me interes vital që kërkon rregullin e shumicës së dyfishtë. Rregulli i shumicës së dyfishtë dikton domosdoshmërinë e pjesëmarrjes aktive të deputetëve serbë të Kosovës në procesin legjislativ”.

Përmes këtij ligji të ri, i propozuar të quhet “Ligji për Bashkëpunim dhe Koordinim Ndërkomunmal”, do të ofrohej “korniza e përgjithshme për strukturën organizative, objektivat, aktet ligjore të qeverisjes, procedurat për ta themeluar dhe zhbërë, raportin me autoritetet qendrore, buxhetin, kapacitetin legal dhe aspekte të tjera organizative të themeluara nga komunat për bashkëpunim dhe koordinim ndër-komunal”.

“Të menduarit praktik (common sense) dhe vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese do të udhëhiqnin ligjbërësit në procesin draftues”, këshillojnë ekspertët, derisa propozojnë që “Ligji duhet ta caktojë Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal si struktura qeverisëse e mbikëqyrjes”.

“MAPL-ja do të shërbente gjithashtu si zyra e regjistrimit për themelimin dhe zhbërjen e këtyre organizatave. Për këtë qëllim, MAPL-ja do të duhej të adoptonte disa direktiva specifike administrative”.

Kështu, “ky ligj do të ofronte bazën ligjore të nevojshme për strukturën e duhur ligjore për ekzistimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës, dhe çfarëdo organizate tjetër në të ardhmen, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”.

Faqja gjashte e “Advisory Note”

Dilemat shtesë

Ekspertët në dokument kanë paraparë edhe argumentimin që mund të bëhet “në terme të thjeshtëzuar, se struktura ligjore e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe mund të rrjedhë vetëm nga Ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë të Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve”.

Por, ata thonë se “në përpjekje për të konceptuar strukturën juridike shumë të nevojshëm të organizatave të themeluara nga komunat, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese KO130/15 i datës 23 dhjetor 2015 dikton një opinion më të gjerë juridik”.

Duke përdorur Nenin 19, pikën 1 të Kushtetutës që thotë se “Marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Kosovës, bëhen pjesë e sistemit të brendshëm juridik pasi të botohen në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Ato zbatohen në mënyrë të drejtpërdrejtë, me përjashtim të rasteve kur nuk janë të vetëzbatueshme dhe zbatimi i tyre kërkon nxjerrjen e një ligji”, ata argumentojnë se “siç kemi parë në vitet e kaluara, Ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë të Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve nuk është i vetëzbatueshëm”.

Prandaj, “Shpallja e Ligjit për Bashkëpunim dhe Koordinim Ndërkomunal bie në kategorinë e aseteve të nevojshme ligjore të parapara me nenin 19.1”.

Shpallja e këtij Ligji gjithashtu “do të përmbushte obligimet ligjore të parapara në pikën dy të Marrëveshjes së Parë të Principeve, ku theksohet: Asociacioni/Komuniteti do të krijohet nga statuti. Zhbërja do të bëhet vetëm me një vendim të komunave pjesëmarrëse. Garancitë ligjore do të sigurohen nga ligji në fuqi dhe ligji kushtetues (duke përfshirë rregullin e shumicës prej 2/3)”.

Krejt në fund, ekspertët sugjerojnë se “Ligji për Bashkëpunim dhe Koordinim Ndërkomunal” pasi të themelohet dhe vendimet administrative që derivojnë nga ky ligj “mund të prezantohen para Gjykatës Kushtetuese për një shikim final”.

Si shkohet deri te votimi i ligjit?

Fillimisht, sqarohet në dokument, duhet të bëhet “lansimi i diskutimeve/konsultimeve serioze në draftimin dhe shpalljen e Ligjit për Bashkëpunim dhe Koordinim Ndërkomunal”, sepse kjo “është rruga më e mirë për të tejkaluar bllokimin shumë vjeçar”.

“Diskutimet/konsultimet gjithashtu mund të jenë ndihmuese në gjetjen e formulave për të adresuar të tjera shqetësime në raport me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në dokument.

Derisa, janë të bindur se me këtë ligj të ri, “përveç zgjidhjes se problemit për strukturën ligjore të Asociacionit ekzistues të Komunave të Kosovës” po ashtu “do të mundësohet principi i barazisë ligjore për të gjitha organizatat që formohen nga komunat, përfshirë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”.

“Shpallja e Ligjit për Bashkëpunim dhe Koordinim Ndërkomunal ofron kornizën për të adresuar shqetësimet e ngritura nga Gjykata Kushtetuese dhe njëkohësisht arrin objektivat e marrëveshjes së vitit 2015 për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

Po ta ndjek Kosova këtë rrugë, sipas tyre, “do të demonstronte përkushtimin për rend dhe ligj dhe seriozitetin e vet si një partner kredibil i komunitetit ndërkombëtar”.

Versioni i plotë i përkthyer në Shqip:

Koncept Këshillëdhënës

Versioni i plotë origjinal në anglisht: 

Advisory Note

JU REKOMANDOJMË

Plani i Trumpit zemëron Evropën: Uashingtoni u dërgon miliona dollarë mediave të krahut të djathtë

Plani i Trumpit zemëron Evropën: Uashingtoni u dërgon miliona dollarë mediave të krahut të djathtë
01/09/2026 - 08:45

Administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, planifikon të ndajë 4 milionë dollarë për të forcuar mediat e krahut të djathtë në Evropë, pjesë e një pakete më...

Më shumëDetails

Kjo është gjendja e fundit në pikat kufitare të Kosovës

20 minuta pritje për të dalë nga Kosova
01/09/2026 - 08:30

Sipas të dhënave të fundit për fluksin në pikat e kalimit kufitar, qarkullimi i automjeteve po zhvillohet pa vonesa të mëdha Në shumicën e pikave kufitare, hyrjet dhe...

Më shumëDetails

Gjendet e mitura që ishte raportuar e zhdukur në Pejë – Policia e gjen duke shëtitur në qytet

U nis për në shkollë e nuk u kthye më, babai njofton se i është zhdukur vajza 12 vjeçare
01/09/2026 - 08:19

E mitura R.H., 15-vjeçare, e cila ishte raportuar e zhdukur në Pejë, është gjetur sot pas angazhimit të hetuesve policorë. Sipas informacioneve të Sinjalit, rasti lidhet me zhdukjen...

Më shumëDetails

Deputetët e PDK-së dhe Aleancës bllokojnë sërish hyrjen e Qeverisë

Deputetët e PDK-së dhe Aleancës bllokojnë sërish hyrjen e Qeverisë
01/09/2026 - 08:08

Deputetët e PDK-së dhe Aleancës, kanë bllokuar edhe sot hyrjen e Qeverisë. Ditën e sotme i janë bashkuar asamblistë dhe aktivistë nga Anamorava. Ata në orët e mëngjesit...

Më shumëDetails

Kandidati për president u gjet, por marrëveshja LVV-LDK përplaset me kundërshtime

Kandidati për president u gjet, por marrëveshja LVV-LDK përplaset me kundërshtime
01/09/2026 - 08:01

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë arritur marrëveshje që profesori dhe diplomati Bekim Sejdiu të jetë kandidat për President të Republikës së Kosovës. Marrëveshja...

Më shumëDetails

Beha: Gjyqtari që kërkoi të shqyrtohej lirimi i Thaçit nuk u përfshi më në panelet për krerët e UÇK-së

Beha: Gjyqtari që kërkoi të shqyrtohej lirimi i Thaçit nuk u përfshi më në panelet për krerët e UÇK-së
31/08/2026 - 22:45

Gazetari Besian Beha ka ngritur pikëpyetje lidhur me përbërjen e paneleve gjyqësore që kanë vendosur për vazhdimin e paraburgimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë....

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Ekskluzive: Arrestohet 4 persona në Mitrovicë nën dyshimin për dallavere me testin e patent shoferëve

    Ekskluzive: Arrestohet 4 persona në Mitrovicë nën dyshimin për dallavere me testin e patent shoferëve

    154 Shpërndaje
    Shpërndaje 62 Tweet 39
  • Hoti del me sqarim, tregon pse nuk e voton Bekim Sejdiun për president

    114 Shpërndaje
    Shpërndaje 46 Tweet 29
  • Policia konfirmon raportimin e Veriu.info: Janë arrestuar 4 persona në Mitrovicë për dallavere me testin për patentë shofer

    104 Shpërndaje
    Shpërndaje 42 Tweet 26
  • Bekë Berisha për kandidatin për President: Duhet me qenë shumë i poshtër meqë janë pajtuar për të

    97 Shpërndaje
    Shpërndaje 39 Tweet 24
  • “Kjo është…”, momenti kur Mihrija kupton se do të bëhet gjyshe (video)

    91 Shpërndaje
    Shpërndaje 36 Tweet 23

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë